Samiti Trump-Putin, Zelensky i gatshëm të marrë pjesë në takimin e Budapestit: “Nëse marr një ftesë…”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është i gatshëm të marrë pjesë në një samit në Hungari me presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin, nëse do të merrte një ftesë zyrtare për një format të tillë.
Deklarata e Zelenskyt vjen pasi Trump dhe Putin njoftuan të enjten planet për të zhvilluar bisedime lidhur me luftën në Ukrainë në Budapest, ndoshta në javët e ardhshme.
“Nëse është një ftesë në një format ku takohemi si tre, ose siç quhet, diplomaci e ndërmjetme… atëherë, në një format apo në një tjetër, ne do të biem dakord,” u shpreh Zelensky të hënën para gazetarëve.
Ndërkohë, raportime mediatike kanë zbuluar se takimi mes Zelenskyt dhe Trumpit në Shtëpinë e Bardhë të premten ka qenë i tensionuar, duke u përshkruar si një “ndeshje me britma”. Sipas burimeve, pala amerikane i kërkoi Ukrainës të pranojë disa nga kushtet e Rusisë për t’i dhënë fund luftës.
Zelensky, në konferencën e tij të parë për shtyp pas këtij takimi, nuk dha shumë detaje, por bëri të qartë se ka mosmarrëveshje të thella mes palëve. Ai e përshkroi takimin si “të sinqertë” dhe shtoi se i kishte bërë të qartë Trumpit se qëllimi i tij nuk është një paqe e shpejtë, por një paqe e drejtë.
