Dritat fikën gjatë intervistës së Zelensky-t: “Këto janë kushtet tona të jetesës”
Volodymyr Zelensky po jepte një intervistë për The Guardian kur papritur dritat fikën. Momenti në errësirë nuk zgjati shumë pasi energjia u rikthye menjëherë pasi u vendos në punë gjeneratori në pallatin Mariinsky.
“Këto janë kushtet tona të jetesës”, tha Zelensky duke buzëqeshur.
Së fundmi, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, duke lënë mijëra banorë në errësirë dhe pa ujë në disa rajone të Ukrainës. Kievi ka njoftuar se janë planifikuar masa për të kufizuar konsumin e energjisë elektrike, teksa ekipet po bëjnë përpjekje për të riparuar infrastrukturën e dëmtuar.
Duke iu kthyer intervistës, presidenti ukrainas foli edhe për marrëdhënien me Donald Trump, duke hedhur poshtë pretendimet se raporti i tyre është lëkundur. I pyetur nëse ai kishte frikë nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, Zelensky tha se kjo nuk është e vërtetë, pasi Ukraina është mike e Amerikës.
Ai zbuloi gjithashtu se Mbreti Charles kishte luajtur një rol shumë të rëndësishëm në inkurajimin e presidentit amerikan për të mbështetur Ukrainën. “Nuk i di të gjitha detajet, por e kuptoj që Madhëria e Tij i dërgoi disa sinjale të rëndësishme Presidentit Trump.”
Lideri ukrainas përsëriti thirrjet e tij për ndihmë nga vendet aleate. Ai e cilësoi Rusinë si një vend të madh dhe agresiv që kishte nevojë për një kundërshtar të fuqishëm.
“Miqësia me Rusinë nuk është një zgjidhje për Amerikën. Sa i përket vlerave, Ukraina është shumë më afër SHBA-së sesa Rusisë”, shtoi Zelensky.
Bazuar në tensionet e fundit që kanë kërcënuar qiellin evropian nga dronë të papërgatitur, presidenti ukrainas shtoi se Putin po teston vijat e kuqe të NATO-s.
