“`html
Kosova sanksionoi Rusinë në mbështetje të Ukrainës, ndërkohë që Zelensky deklaron qëndrim të pandryshuar të Ukrainës për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se politika e vendit të tij nuk ka ndryshuar për sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. “Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë,” tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd, krah presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e shpallur më 2008, Kosova i është bashkuar sanksioneve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Prishtina po ashtu ka strehuar gazetarë ukrainas, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Nga ana tjetër, Vuçiç tha se me udhëheqësin ukrainas ka biseduar për bashkëpunimin ushtarak, duke shtuar: “Çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta, kjo është çështje tjetër”. Vuçiç, i cili e mirëpriti Zelenskyn në vizitën e parë zyrtare në Serbi, njoftoi se në Serbi, në mesin e shtatorit, do të hapet një fabrikë dronësh, por në bashkëpunim me izraelitët.
Zelensky vizitoi Serbinë, një shtet që është një nga të paktat në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës. “Ne duam paqe dinjitoze,” deklaroi Zelensky, duke theksuar nevojën për shfrytëzimin e çdo mundësie për arritjen e paqes në arenën ndërkombëtare.
Ai shtoi se Ukraina po zhvillon çdo lloj bashkëpunimi që mund t’i ofrojë popullit të saj qëndrueshmëri më të madhe dhe mundësi për t’u përballur me sfidat e luftës. Zelensky vlerësoi se sanksionet e BE-së, pavarësisht se janë 21 paketa, nuk janë të mjaftueshme, pasi raketat balistike ruse përmbajnë qindra mijëra komponentë që mbërrijnë nga çdo kontinent. Ai bëri thirrje për sanksione ndaj furnizimit me komponentë për prodhimin e armëve ruse dhe për të mos i dhënë Rusisë mundësinë të fitojë miliarda.
Presidenti ukrainas nuk iu referua drejtpërdrejt faktit se Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Serbia mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, por mbetet një nga vendet evropiane që nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
Vuçiç siguroi se Serbia do të vazhdojë të respektojë integritetin territorial të Ukrainës dhe se nuk do të kundërshtojë pranimin e Ukrainës së para në Bashkimin Evropian.
Për çfarë u bisedua?
- Zelensky tha se me Vuçiqin kanë biseduar për bashkëpunimin dypalësh dhe për çështje që mund të forcojnë infrastrukturën, duke përmendur projekte konkrete zhvillimore dhe infrastrukturore, siç janë projektet e rindërtimit në Ukrainë.
- Vuçiç theksoi se autoritetet serbe i kishin premtuar më parë Zelenskyt se do të kujdeseshin për rindërtimin e një qyteti më të vogël të goditur gjatë luftës.
- Serbia ka ndarë ndihmë të konsiderueshme për Ukrainën, veçanërisht për sektorin energjetik me pajisje për dimër.
- Vuçiç beson se pas përfundimit të luftës, bashkëpunimi do të jetë edhe më i fuqishëm, duke përfshirë eksportin në tregje të treta, sidomos në kontinentin afrikan dhe aziatik.
- Të dy udhëheqësit shprehën bindjen se së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje për tregti të lirë mes dy vendeve.
- Gjatë vizitës u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi ndërmjet ministrive përkatëse të Serbisë dhe Ukrainës për bashkëpunimin në fushën e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore.
Zelensky mbërriti në Beograd më 7 gusht. Vizita ishte paralajmëruar prej kohësh dhe erdhi tri javë pas samitit Ukrainë-Evropa Juglindore në Kiev, ku Vuçiç ishte i vetmi udhëheqës që nuk nënshkroi deklaratën e përbashkët për rritjen e presionit ndaj Rusisë.
“`
