Zelensky nesër në Londër, Starmer mbledh aleatët e Kievit, përfshirë Macron dhe Merz
Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se do të udhëtojë nesër drejt Londrës për t’u takuar me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz. Qëllimi i takimit është ushtrimi i presionit mbi Moskën. Nga ana tjetër, në Londër do të zhvillojë një vizitë zyrtare edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Në një deklaratë në platformën X, Macron dënoi sulmet e fundit ruse në Ukrainë. Ai shtoi se Franca është “e vendosur të punojë me të gjithë partnerët për të siguruar masa për uljen e tensioneve dhe për të imponuar një armëpushim”.
Takimi i udhëheqësve të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë vjen pas bisedimeve midis përfaqësuesve ukrainas dhe amerikanë, të cilat Zelenskyy i përshkroi si “konstruktive”. Muajin e kaluar, këto tre vende hartuan një plan paqeje për t’iu kundërvënë atij të paraqitur nga SHBA-ja dhe Rusia.
Deri më tani, as Rusia dhe as Ukraina nuk kanë arritur një marrëveshje mbi përmbajtjen e një plani të tillë. Temat kyçe që mbeten në diskutim përfshijnë territorin dhe anëtarësimin në NATO.
