Zelensky: Referendum për territore nëse Rusia bie dakord për armëpushim

Zelensky: Do të zhvilloj referendum për territoret nëse Rusia bie dakord për armëpushim

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se është i gatshëm të thërrasë një referendum për çështjen e territoretve, si pjesë e një plani paqeje të propozuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Kushti kryesor për këtë referendum është që Rusia të bjerë dakord për një armëpushim me Ukrainën që të zgjasë të paktën 60 ditë.

Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve “Axios”, Zelensky shprehu shpresën për të arritur një marrëveshje me Trump gjatë takimit të tyre të planifikuar të dielën. Ai pranoi se plota e Trump përfshin lëshime territoriale nga Ukraina, të cilat ai dëshiron t’i përmirësojë.

“Nëse nuk arrijmë një qëndrim të qartë për çështjen e territoreve, do të më duhet miratimi i popullit ukrainas përmes një referendumi,” tha Zelensky. Ai theksoi se pavarësisht përparimit të konsiderueshëm, plani i Trump paraqet sfida sigurie dhe logjistike, prandaj kërkon një armëpushim minimal 60-ditor.

Një zyrtar i lartë amerikan konfirmoi për “Axios” se Rusia kupton nevojën për armëpushim në rast referendumi, por dëshiron një periudhë më të shkurtër. Zelensky shtoi se nuk ishte e qartë nëse Rusia do ta pranonte planin e Trump, duke theksuar se preferon t’u besojë fjalëve të udhëheqësve.

Fjalët e presidentit ukrainas vijnë dy ditë para takimit të tij me Trump në Florida. Ai informoi se shumica e pikave të marrëveshjeve dypalëshe SHBA-Ukrainë janë finalizuar, duke u pasqyruar në pesë dokumente, me mundësinë e shtimit të një të gjashti. Lidhur me garancitë e sigurisë, Zelensky tha se dokumentet janë gati, me disa “detaje teknike” ende për t’u zgjidhur, si kohëzgjatja e paktit, ku SHBA propozon 15 vjet me mundësi rinovimi, ndërsa Ukraina kërkon një periudhë më të gjatë.

Ai krahasoi procesin e referendimit me Brexit, por theksoi se do të zhvillohet në një vend në luftë dhe në një afat kohor të ngushtë. Zelensky paralajmëroi se nëse një fushatë e tillë zhvillohet mes sulmeve ruse, ajo do të dështojë, pasi njerëzit do të jenë më të preokupuar nga raketat sesa nga garancitë e sigurisë.

“Është më mirë të mos ketë referendum sesa të ketë një në të cilin njerëzit nuk kanë mundësi të votojnë,” tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e një armëpushimi të respektuar për të mundësuar një proces zgjedhor legjitim.

Zelensky shprehu shpresën që gjatë takimit me Trump, ata do të mund të përfshijnë edhe liderët evropianë, me qëllimin e vendosjes së një kornize të qartë dhe një afati për përfundimin e luftës. “Ne duam që kjo të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur,” përfundoi ai.

Scroll to Top