Presidenti Zelensky vë sanksione ndaj bizneseve të ish-mikun të ngushtë, pas skandalit të korrupsionit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vendosur sot sanksione ndaj biznesmenit Timur Mindich, dikur miku i tij i ngushtë, i cili akuzohet se ka qenë në qendër të një prej skandaleve më të mëdha të korrupsionit në Ukrainë vitet e fundit.
Sanksionet, të cilat prekin 46-vjeçarin Mindich dhe një biznesmen tjetër të përfshirë, kryesisht përfshijnë ngrirjen e pasurive të tyre, sipas një dekreti të publikuar nga presidenca ukrainase.
Mindich dyshohet se ka krijuar një rrjet të gjerë korrupsioni, duke mundësuar përvetësimin e rreth 100 milionë dollarëve të destinuara për sektorin energjetik të vendit. Ky skandal vjen në një kohë kritike, kur rrjeti elektrik ukrainas është dëmtuar rëndë nga sulmet masive ruse, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë përpara sezonit dimëror.
Mindich ishte bashkëpronar i studios së produksionit “Kvartal 95”, të themeluar nga vetë Zelensky para se ky i fundit të hynte në politikë, kur ishte ende një aktor komik i njohur. Biznesmeni u largua nga Ukraina pak para shpërthimit të skandalit dhe dyshohet gjithashtu se ka ushtruar ndikim mbi vendimet e zyrtarëve të lartë, përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov (aktualisht sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare).
Të mërkurën, ministrat e Energjisë dhe Drejtësisë, Svitlana Grinçuk dhe Herman Galushchenko, njoftuan dorëheqjen pas kërkesës së Zelenskyt për shkak të këtij skandali të rëndë. Galushchenko akuzohet gjithashtu se ka përfituar personalisht në këmbim të kontrollit të flukseve financiare të sektorit energjetik, të cilat i kishte kaluar Mindichit. Ndërsa Grinçuk nuk është aktualisht e akuzuar drejtpërdrejt, mediat ukrainase e konsiderojnë si një person të besuar të Galushchenkos.
Votimi në parlament për shkarkimin zyrtar të dy ministrave pritet të mbahet ditën e premte.
