Lufta në Ukrainë, Zelensky: Javën e ardhshme takim i nivelit të lartë për t’i dhënë fund luftës
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi sot mundësinë e një takimi të nivelit të lartë javën e ardhshme, me qëllim diskutimin e mënyrave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Javën e ardhshme do të zhvillohen negociata të rëndësishme, jo vetëm për delegacionin tonë, por edhe për mua. Ne po përgatisim terren të fortë për këto negociata”, deklaroi Zelensky në videomesazhin e tij të sotëm.
Ai nuk dha detaje të mëtejshme. Megjithatë, pas negociatave mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës për një plan paqeje, është e mundur që Zelensky të takohet sërish me presidentin amerikan. Të dyja palët kanë sinjalizuar kohët e fundit se kryesisht ndajnë të njëjtin qëndrim. Sipas tyre, ka pasur vetëm disa dallime të vogla, edhe pse është e mundur që kjo t’i referohet çështjes qendrore të lëshimeve territoriale nga Ukraina.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përsëritur se nuk do të ketë marrëveshje nëse ushtria ukrainase nuk tërhiqet nga pozicionet e saj aktuale në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut të Donbasit. Ukraina, deri më tani, ka refuzuar dhe kërkon të mos heqë dorë ligjërisht nga territori i pushtuar.
“Lufta ruse vazhdon dhe të gjithë dëgjojmë se Rusia po shpërfill përpjekjet e fuqive të mëdha të botës për t’i dhënë fund luftës me një paqe të qëndrueshme”, tha Zelensky.
