Zgjedhja e Kryetarit të SPAK Nesër, 4 Kandidatë në Garë

Nesër do të zgjidhet kreu i ri i SPAK-ut

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) pritet të zgjedhë nesër, më 11 dhjetor, kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Mandati trevjeçar i drejtuesit aktual, Altin Dumani, përfundon më 16 dhjetor.

Në garë për këtë pozicion janë katër kandidatë të kualifikuar në fazat paraprake: Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj. Kandidatët do t’i nënshtrohen një procesi votimi në KLP, ku fituesi do të shpallet me shumicën e votave të thjeshta.

KLP ka lëshuar një njoftim zyrtar, duke bërë të ditur se diskutimi dhe votimi do të zhvillohen pa praninë e medias. Arsyeja e këtij vendimi është vëllimi i vogël i sallës së mbledhjeve dhe numri i madh i përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut është shoqëruar me interes të lartë nga Ambasadat. KLP ka kërkuar mirëkuptimin e mediave për këtë kufizim, duke lejuar vetëm transmetimin e sinjalit nga RTSH.

“Duke qenë se ditën e nesërme është konfirmuar një numër i madh i përfaqësuesve nga ambasadat, lutemi për mirëkuptimin tuaj për prezencën mediatike në sallë. Siç edhe e dini, salla është relativisht e vogël për t’ju akomoduar të gjjthëve, ndaj ju lutem të ndiqni seancën direkt nga sinjali RTSH-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të KLP-së.

Një ditë më parë, më 9 dhjetor, KLP kishte zgjedhur edhe drejtorin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilësuar edhe si “FBI-ja shqiptare”. Ai është Joni Keta, i cili merr detyrën pas Aida Hajnajn.

Scroll to Top