Nesër do të mbahen zgjedhje në 5 bashki, ku rreth 334 mijë qytetarë do të zgjedhin kryebashkiakët e rinj.
Qytetarët e Beratit, Vlorës, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës do të drejtohen nesër drejt kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e tyre. KQZ ka shpërndarë materialet zgjedhore në këto pesë bashki, ku do të ushtrojnë të drejtën e votës 334.539 mijë votues.
Ndërkohë që sot është ditë heshtjeje zgjedhore, edhe gjatë fushatës elektorale kandidatët kanë zhvilluar aktivitetet e tyre pa praninë e liderëve kryesorë të partive. Kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha nuk janë parë në asnjë takim elektoral.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote është i ndarë sipas bashkive si më poshtë:
- Vlorë: afro 172 mijë votues
- Berat: mbi 82 mijë votues
- Cërrik: afro 39 mijë votues
- Mat: 29 mijë votues
- Tepelenë: 12.600 votues
Në Berat, kandidati i Partisë Socialiste, Ervin Ceca, do të përballet me Pavlo Shkarpën. Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS, e cila la mandatin e deputetes për të kandiduar si kryebashkiake, do të garojë kundër dy kandidatëve demokratë: Dionis Sota dhe Gjergj Nika, ky i fundit anëtar i Këshillit Bashkiak zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike.
Në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, i cili mbështetet edhe nga Partia Demokratike, si dhe Eligert Hima, nën logon e partisë ‘Lëvizja Shqipëria Bëhet’.
Në Mat, Altin Bojni është kandidati i PS, i cili do të përballet me Suzana Pashën, kandidate e pavarur, dhe Eduart Brahilikën, i mbështetur nga PD. Në Tepelenë, PS ka propozuar kandidatin Gramoz Sako, ndërsa opozita do të mbështesë kandidatin e pavarur Gabriel Guma.
Në tre bashki – Berat, Mat dhe Tepelenë – kryetarët e mëparshëm dhanë dorëheqjen për t’u bërë deputetë. Në Cërrik, ish-kryetari i bashkisë Andis Hasalla u emërua në kabinetin qeveritar si Ministër i Bujqësisë. Në Vlorë, ish-kryetari i bashkisë Ermal Dredha dha dorëheqjen pas zhvillimeve politike.
