Zgjedhje nesër në 5 bashki: kush voton dhe si zhvillohet procesi

Nesër zgjedhje në 5 bashki, mbi 334 mijë qytetarë kanë të drejtë vote

Pesë bashki të vendit zgjedhin nesër kryebashkiakët e rinj. Për këtë proces zgjedhor, 334,539 votues do të ushtrojnë të drejtën e tyre në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Qendrat e votimit do të hapen nesër në orën 07:00 të mëngjesit. Në përputhje me Kodin Zgjedhor, nëse data e zgjedhjeve caktohet brenda periudhës nga 15 tetori deri më 15 nëntor, qendrat e votimit do të mbyllen në orën 18:00.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialet zgjedhore. Të shtunën, kutitë e votimit janë shpërndarë pranë KZAZ-ve të ngritura në këto bashki.

Konkretisht, të dhënat për secilën bashki janë si më poshtë:

  • Vlorë: 171,895 qytetarë do të votojnë në 232 qendra votimi.
  • Tepelenë: 12,667 qytetarë do të votojnë në 22 qendra votimi.
  • Mat: 29,092 qytetarë kanë të drejtë vote dhe do të votojnë në 47 qendra votimi.
  • Cërrik: 38,724 zgjedhës do të ushtrojnë të drejtën e tyre në 57 qendra votimi.
  • Berat: 82,161 zgjedhës do të votojnë në 116 qendra votimi.

Në garën për zëvendësimin e 5 kryebashkiakëve, të cilët janë zgjedhur deputetë ose ministra (siç është rasti i Andis Sallës së Cërrikut), marrin pjesë 13 kandidatë.

Fushata për këto zgjedhje të pjesshme ka kaluar pa shumë bujë dhe pa protagonizëm të dukshëm. Nuk janë zhvilluar mitingje apo takime elektorale me pjesëmarrjen e liderëve të partive kryesore.

Ndryshe nga herë të tjera, Partia Demokratike nuk ka pasur kandidatë të regjistruar nën siglën e saj apo të ndonjë partie tjetër opozitare. Megjithatë, ata kanë shprehur mbështetje për disa kandidatë të pavarur në këtë garë.

Scroll to Top