Charles Hittler përballet me Antoine Renault-Zielinski në zgjedhjet bashkiake franceze: Përballja që u bë virale për shkak të emrave të pazakontë të kandidatëve
Një qytet i vogël në Francë ka marrë vëmendjen e gjerë në internet falë një situate të pazakontë në lidhje me zgjedhjet lokale. Kryetari aktual i bashkisë, Charles Hittler, i cili po kërkon një mandat të ri, ka tërhequr vëmendje për mbiemrin e tij, ndërsa një nga kundërshtarët quhet Antoine Renault-Zielinski.
Në një intervistë për BBC, zoti Hittler u shpreh se gjatë gjithë jetës së tij ka qenë objekt talljesh për emrin e tij, por situata së fundmi ka dalë jashtë kontrollit. “Kam parë artikuj që thonë ‘37% e banorëve janë hitlerianë’. Gruaja ime po qan,” tha ai.
Ngjarja ka të bëjë me qytetin Arcis-sur-Aube, në lindje të Parisit, ku debati publik është zhvendosur nga programet politike te emrat e kandidatëve. Zoti Hittler shpjegon se mbiemri i tij ka origjinë nga rajoni Alsasë në veri, pranë kufirit me Gjermaninë. Babai i tij ishte dërguar në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore si pjesë e programit të punës së detyruar. Pas kthimit, familja kishte pasur në plan ta ndryshonte mbiemrin, por procedurat burokratike dhe kostot e larta i penguan.
Sot, shumë pak persona mbajnë këtë mbiemër në Alsasë. Disa anëtarë të familjes kanë zgjedhur ta shqiptojnë ndryshe ose të marrin mbiemra të tjerë për të shmangur reagimet.
Nga ana tjetër, kundërshtari i tij, Antoine Renault-Zielinski, një oficer dogane 28-vjeçar, ka sqaruar se pjesa “Zielinski” e mbiemrit të tij vjen nga nëna polake dhe nuk ka lidhje me figura të njohura ndërkombëtare. Ai tha se fillimisht mendoi se reagimet në rrjetet sociale ishin shaka, por më pas kuptoi se situata kishte bërë xhiron e internetit.
Të dy kandidatët shprehin dëshirën që vëmendja të përqendrohet te çështjet dhe programet për qytetin, dhe jo te emrat e tyre. Megjithatë, situata ka bërë që Arcis-sur-Aube të jetë në qendër të vëmendjes mediatike.
