Zgjedhjet e Pjesshme: Pjesëmarrje e ulët, të rinjtë bojkot

Zgjedhjet e pjesshme: Të rinjtë i bojkotojnë, pensionistët nuk falin

Shqipëria zhvilloi sot zgjedhjet e pjesshme vendore në 5 bashki, ku 13 kandidatë garuan për të marrë drejtimin e Vlorës, Beratit, Matit, Cërrikut dhe Tepelenës. Përpos fushatës atipike, ku nga dy partitë kryesore, PD dhe PS, nuk u zhvillua asnjë miting elektoral, procesi i votimit u karakterizua nga një pjesëmarrje shumë e ulët, ndërsa moti i keq nuk favorizoi votuesit.

Qytetarët iu drejtuan kutive të votimit që prej orës 07:00 të mëngjesit deri në orën 18:00, kur u mbyll zyrtarisht procesi i votimit. Nga 334,539 mijë qytetarë me të drejtë vote, sipas të dhënave të KQZ deri në orën 18:00, nga 472 qendra votimi të raportuara, vetëm 46,696 qytetarë ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, ose 18.72% e zgjedhësve.

Bashkia me numrin më të lartë të pjesëmarrjes ishte Mat, me 39.36%, dhe bashkia me numrin më të ulët të pjesëmarrjes ishte Vlora, me 12.54%. Në 3 bashkitë e tjera, pjesëmarrja ishte si më poshtë: Tepelena 34.63%, Cërriku 25%, Berati 19.98%.

Për herë të parë, KQZ ka pasqyruar edhe të dhënat sipas grupmoshës, ku vihet re se më të interesuarit për të marrë pjesë në votim ishin personat mbi 65 vjeç. Interesi i të rinjve ishte shumë i ulët.

Procesi i votimit ishte i qetë, me probleme sporadike. Vetëm 19% e qendrave u hapën me pak vonesë, ndërsa në 3 qendra votimi pati probleme me mungesën e komisionerëve të PD-së, por situata u zgjidh. Në të gjitha qendrat u aplikua identifikimi elektronik.

Në Mat, deputetja e PD-së, Denisa Vata, hodhi akuza se po tentohej të intimidoheshin zgjedhësit, por kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se u bënë të gjitha verifikimet dhe rezultoi se nuk pati pretendime nga partitë për shkelje. Edhe në Cërrik, Policia e Shtetit përgënjeshtroi pretendimet e kandidatit të Shqipëria Bëhet, Eligert Hima, se po intimidoheshin zgjedhësit.

Shqipëria Bëhet ka raportuar gjithashtu për rastin e votimit familjar në qendrën e votimit në Selvias, Cërrik. Kryetari i komisionit shpjegoi për Report TV se një grua, në pamundësi për të votuar, ka thirrur bashkëshortin pranë kutisë, dhe në atë moment vëzhguesi e ka fotografuar. Rasti është referuar në KQZ dhe KZAZ. Megjithatë, pavarësisht pretendimit të vëzhguesit të Nismës Shqipëria Bëhet, votimi nuk u ndërpre.

Për herë të parë, në bashkinë e Tepelenës, do të aplikohet si test inteligjenca artificiale në numërimin e votave. Rezultati do të transmetohet online dhe do të ballafaqohet me numërimin manual të komisionerëve.

Në këto zgjedhje, PD e Berishës dhe aleatët nuk kanë kandidatë të regjistruar në siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra, të cilët janë shpallur si të pavarur. Ata do të jenë përballë 5 socialistëve, si dhe disa emrave të tjerë.

Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në pranverën e vitit 2027.

Scroll to Top