Zgjedhjet Kosovë: 109 arrestime për manipulim votash në Prizren

Zgjedhjet në Kosovë: Dyshime për manipulim votash në Prizren, 109 të arrestuar

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se 109 persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Autoritetet kanë deklaruar se të arrestuarit janë kryesisht komisionerë zgjedhorë, përfshirë edhe familjarë të kandidatëve për deputetë. Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve, ushtrim presioni, kanosje dhe për dhënie ose marrje ryshfeti.

Gjatë një konference për shtyp, Kryeziu shpjegoi se manipulimi ka ndodhur në Qendrën Komunale të Numërimit dhe ka prekur votat e kandidatëve për deputetë. Sipas tij, një veprim i tillë nuk do të kishte qenë i mundur pa një marrëveshje mes komisionerëve të katër partive kryesore politike.

“Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin të gjitha këto vota po të mos kishte kompromis të gjithë komisionerëve, atyre që kanë qenë të deleguar nga katër partitë politike më të mëdha në Kosovë, sepse sistemi është i tillë që komisionerët në një mënyrë janë mekanizëm kontrollues”, theksoi Kryeziu.

Ai shtoi se vetëm një vendvotim nuk ka rezultuar me vota të keqpërdorura, ndërsa numri i votave të falsifikuara për një kandidat ka arritur në mbi 6.000.

“Po flasim për komunën e Prizrenit ku janë shtuar jo më pak se 40.497 vota dhe janë hequr jo më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.

Prokuroria ka bërë të ditur se tashmë ka komisionerë që kanë bashkëpunuar me ta, duke dhënë informacione rreth presioneve dhe ryshfeteve.

Asnjë kandidat për deputetë nuk është intervistuar ende në lidhje me këtë rast, pasi Prokuroria në Prizren deklaroi se nuk disponon prova kundër tyre. Megjithatë, ata mund të ftohen në cilësinë e të dëmtuarve, sipas Kryeziut.

Policia e Kosovës e ka cilësuar këtë si një nga aksionet më të mëdha të realizuara, me numrin më të lartë të të arrestuarve në rajonin e Prizrenit. Për shkak të numrit të madh të tyre, disa nga të ndaluarit janë dërguar në qendrat e paraburgimit në Prishtinë.

Në këtë operacion morën pjesë katër prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe rreth 200 efektivë policorë.

Në një njoftim të veçantë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka autorizuar Policinë e Kosovës të identifikojë personat përgjegjës në komunën e Malishevës dhe të mbledhë informacione dhe prova lidhur me dyshimet për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.

Aksioni në Prizren vjen si pasojë e dyshimeve për manipulime të mëdha me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. Këto dyshime e detyruan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të nisë rinumërimin e plotë të votave, proces ky që ka zgjatur disa ditë.

Në fillim të muajit, KQZ konstatoi mospërputhje në votat për kandidatët pas një hetimi fillestar, dhe më pas zbuloi gjatë rinumërimit të pjesshëm se dallimet ishin të konsiderueshme.

Si pasojë, prokurorët filluan të mbledhin të dhëna rreth dyshimeve për manipulime, ndërsa KQZ shkarkoi përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren.

Në Kosovë, manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim. Megjithatë, organizata joqeveritare ÇOHU së fundmi publikoi një hulumtim që tregon se mbi 90% e rasteve të manipulimeve zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Shumica e kandidatëve për deputetë, të cilëve u janë hequr më shumë vota gjatë rinumërimit, kanë mohuar përfshirjen në keqpërdorime dhe kanë dënuar këtë dukuri.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit me mbi 51% të votave dhe pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë, duke formuar qeverinë e re. Megjithatë, procesi i rinumërimit, që nuk pritet të ndikojë tek votat e partive, mund ta zvarritë formimin e qeverisë.

Scroll to Top