Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar planin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale, të cilat do të mbahen më 9 nëntor në pesë bashki: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Sipas planit të propozuar nga KQZ, fushata zgjedhore pritet të fillojë më 1 nëntor. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave të kandidatëve për regjistrim në zgjedhje është data 22 tetor.
Partitë politike që dëshirojnë të marrin pjesë në garë duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhore deri më 14 tetor, që është afati i fundit ligjor.
Tashmë, Partia Socialiste, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Shqipëria Bëhet janë tre subjektet politike që kanë dorëzuar kërkesën për regjistrim pranë KQZ-së. Ndërkohë, Partia Demokratike ka depozituar kërkesën për regjistrimin e anëtarëve të saj në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ).
Dokumenti i KQZ-së parashikon detyrime për institucionet publike për raportimin e veprimtarive me karakter publik dhe monitorimin e tyre nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Gjithashtu, përcaktohen afate për hartimin e listave të zgjedhësve, përzgjedhjen e vendeve për numërimin e votave dhe afishimin e materialeve propagandistike.
Përcaktohen gjithashtu afate të qarta për emërimin e anëtarëve në KZAZ dhe KQV, si dhe për regjistrimin e koalicioneve dhe komiteteve nismëtare.
Nuk do të lejohet publikimi i rezultateve të sondazheve zgjedhore në tre ditët e fundit para zgjedhjeve. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor.