Zgjedhjet Lokale: Heshtje Zgjedhore dhe Votim për Kryetarë të Rinj

Sot është ditë heshtjeje zgjedhore, ndërsa pesë bashki do të votojnë për kryetarët e rinj.

Qytetarët e Beratit, Vlorës, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës do të drejtohen nesër (e diel) drejt kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpërndarë materialet zgjedhore në pesë bashkitë, ku do të ushtrojnë të drejtën e votës 334,539 mijë votues.

Ndërkohë që sot është heshtje zgjedhore, edhe gjatë fushatës, kandidatët kanë zhvilluar fushatën e tyre pa praninë e liderëve të partive të mëdha. Kryeministri Edi Rama dhe Kryedemokrati Sali Berisha nuk janë parë në asnjë takim elektoral.

Bëhet me dije se në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë, ndërsa në Tepelenë 12,600.

Në Berat, Ervin Ceka, kandidat i Partisë Socialiste, do të jetë përballë Pavlo Shkarpës.

Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS, e cila la mandatin e deputetes për të kandiduar si kryebashkiake, do të garojë përballë dy demokratëve: Dionis Sota dhe Gjergj Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak i zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike.

Ndërsa në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, i cili mbështetet edhe nga Partia Demokratike, si dhe Eligert Hima, nën logon e partisë “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.

Ndërkohë në Mat, Altin Bojni është kandidati i PS që do të jetë përballë Suzana Pashës, e cila është kandidate e pavarur, dhe Eduart Brahilikës, i mbështetur nga PD.

Në Tepelenë, PS ka propozuar kandidatin Gramoz Sako, ndërsa opozita do të mbështesë të pavarurin Gabriel Guma.

Në tre bashki – Berat, Mat dhe Tepelenë – kryetarët dhanë dorëheqjen për t’u bërë deputetë.

Në Cërrik, kryetari i bashkisë, Andis Hasalla, u emërua në kabinetin qeveritar si Ministër i Bujqësisë.

Në Vlorë, kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, dha dorëheqjen pas një sërë zhvillimesh politike.

Scroll to Top