Vetëm një në pesë beratas voton – PS fiton pa garë në zgjedhjet e pjesshme vendore
Në orët e para të mëngjesit të së hënës, ndërsa reshjet e shiut mbulonin rrugët e qeta të Beratit, u shpall rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të pjesshme vendore pranë KZAZ-së lokale.
Kandidati i Partisë Socialiste, Ervin Ceca, fitoi garën për kryebashkiak me një diferencë të thellë në përqindje, por me vetëm rreth trembëdhjetë mijë vota në total. Në proces mori pjesë më pak se një në pesë zgjedhës.
Në momentin e shpalljes së rezultatit në KZAZ-në e Beratit nuk pati brohoritje; pak persona ishin të pranishëm në ambientet e numërimit, ndërsa pjesa më e madhe e qytetit vijoi rutinën e zakonshme të mëngjesit. Rezultati i pritshëm, i dalë nga një proces pa rivalitet real dhe me një pjesëmarrje minimale, u perceptua si formalitet më shumë sesa garë.
Kjo mungesë reagimi publik, bashkë me shifrat e ulëta të votimit, dëshmon për largimin e qytetarëve nga procesi zgjedhor dhe mungesën e besimit te efektiviteti i zgjedhjeve lokale, veçanërisht në bashkitë ku njëra forcë politike dominoi pa sfidë reale.
Në total, në Bashkinë Berat ishin regjistruar 82.161 zgjedhës, ndërsa në votim morën pjesë 4.557 persona. Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, kandidati i Partisë Socialiste, Ervin Ceca, siguroi një fitore të thellë me 13.050 vota, që përbëjnë 83.35 për qind të totalit, ndaj rivalit të pavarur të mbështetur nga opozita, Pavlo Shkarpa, i cili mori 2.607 vota ose 16.65 për qind.
Procesi i votimit u zhvillua në 116 qendra votimi, prej të cilave 72 në qytet dhe 44 në zonat rurale, ndërsa numërimi u krye në dy KZAZ: nr. 66, në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”, dhe nr. 67, në Bibliotekën “Vexhi Buharaja”.
Dita e zgjedhjeve në Berat kaloi pa incidente, por u karakterizua nga mungesa e dukshme e vullnetit qytetar për të votuar. Procesi u zhvillua si një formalitet, nën reshje shiu dhe pa gjallëri fushate në terren.
Shumë prej banorëve zgjodhën të vijonin rutinën e përditshme, duke treguar më shumë interes për punën dhe jetën e përditshme sesa për garën elektorale. Në qytet dhe në zonat përreth, pjesëmarrësit kryesorë në votim ishin punonjës të administratës publike dhe institucioneve vendore, ndërsa të rinjtë dhe familjet e reja vijuan të qëndronin larg procesit.
Në këtë realitet social të tkurrur dhe pa energji politike, rezultati i zgjedhjeve vetëm sa konfirmoi mungesën e alternativës dhe distancimin e qytetarëve nga procesi politik.
Në Bashkinë Berat, 52.808 zgjedhës ishin të regjistruar në qytet dhe 26.515 në zonat rurale që përbëhen nga katër Njësitë Administrative.
Rezultati në Berat konsolidon dominimin afatgjatë të socialistëve në këtë bashki, e cila drejtohet nga e majta që prej fillimit të viteve 2000. Megjithatë, pjesëmarrja e ulët tregon rënie të vazhdueshme të interesit qytetar për procesin zgjedhor, duke reflektuar lodhjen politike dhe mungesën e besimit te ndryshimi përmes votës. Kjo përqindje e ulët është ndër më të ulëtat të regjistruara ndonjëherë në zgjedhje vendore pas vitit 1992.