Zgjedhjet parlamentare në Irak: Teherani dhe Uashingtoni vëzhgojnë nga afër procesin e votimit
Irakianët po u drejtohen sot qendrave të votimit për të zgjedhur një parlament të ri. Votimi, megjithëse nuk pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në peizazhin politik, po ndiqet me vëmendje nga Teherani dhe Uashingtoni.
Iraku ka arritur një stabilitet të pazakontë vitet e fundit, pas dekadash luftë dhe shtypjeje nën diktatorin Saddam Hussein, si dhe pas ndërhyrjes së SHBA-së në vitin 2003, e cila çoi në rrëzimin e tij. Megjithatë, ky vend me rreth 46 milionë banorë përballet ende me probleme serioze infrastrukturore, funksionimin e dobët të shërbimeve publike dhe korrupsionin endemik.
Shumë irakianë shprehin dyshime se këto zgjedhje parlamentare mund të sjellin ndryshime reale në jetën e tyre të përditshme. Ata e shohin procesin e votimit si një formë maskarade, nga e cila mund të përfitojnë vetëm elitat politike dhe fuqitë rajonale.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 me kohën lokale dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 18:00. Rezultatet e para priten të bëhen të ditura brenda 24 orëve pas mbylljes së votimit.
Më shumë se 21.4 milionë votues janë thirrur të zgjedhin nga mbi 7.700 kandidatë, ku gati një e treta janë gra, për të plotësuar 329 ulëset e parlamentit me mandat katërvjeçar. Gratë do të kenë të paktën një të katërtën e ulëseve të parlamentit të ardhshëm, falë një sistemi kuotash, ndërsa nëntë ulëse janë të rezervuara për minoritetet.
