Ndryshojnë rezultatet në Maqedoninë e Veriut: Kush po fiton në komunat me shumicë shqiptare
Në Maqedoninë e Veriut po numërohen me shpejtësi votat për kryetarë të komunave, me një vëmendje të veçantë te ato me shumicë shqiptare.
Deri tani, koalicioni i partive shqiptare në qeveri, VLEN, udhëheq rezultatet në 8 komuna. Në Saraj, Tearcë dhe Çair, duket se fitimi është realizuar që në raundin e parë.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët (AKI), e udhëhequr nga BDI, kryeson rezultatet vetëm në 5 komuna, duke shënuar një rezultat më të dobët krahasuar me VLEN. AKI kryeson në Vrapçishtë, Gostivar, Likovë, Plasnicë dhe Çashkë.
Në Tetovë, kandidati i VLEN dhe kryetari aktual, Bilall Kasami, prin me rreth 4 mijë vota më shumë se kandidati i AKI-së, Bajram Rexhepi.
Në raundin e parë, Izet Mexhiti nga VLEN ka fituar përballë Bujar Osmanit në Komunën e Çairit, duke marrë mbi 10% të votave totale, në një nga komunat më të rëndësishme.
Në Gostivar, Valbon Limani i AKI-së ka fituar bindshëm, me një diferencë prej 10 mijë votash kundrejt Sabedin Dautit të VLEN-it.
Në Komunën e Vrapçishtit, pavarësisht se kandidati i AKI-së, Isen Shabani, fitoi me mbi 80% të votave, ai nuk do të mund të bëhet kryetar pasi nuk u arrit censusi. Për këtë komunë do të ketë përsëritje zgjedhjesh.
Në raundin e parë, VLEN ka fituar edhe Komunën e Tearcës me kandidatin Daut Memishi, Komunën e Bogovinës me Feti Abazin dhe Komunën e Zhelinës me Blerim Sejdiun.
Për herë të parë, shqiptarët do të fitojnë një komunë që gjithmonë ka qenë në duart e maqedonasve, atë të Çashkës. Kandidati i AKI-së, Suat Shaqiri, ka korrur fitore me mbi 50% të votave që në rrethin e parë.
Sipas informacioneve, edhe në Saraj prin kandidati i VLEN-it, Muhamet Elmazi, kundrejt Blerand Rexhepit të AKI-së, por ende nuk ka informacione zyrtare nëse gara do të shkojë në raundin e dytë.
Në Komunën e Strugës, prin kandidati i VLEN-it, Mendi Qyra, me mbi 2 mijë vota më shumë se kandidati i AKI-së, Arsim Dalipi.
Në Komunën e Likovës, Erkan Arifi ka fituar me 2 mijë vota diferencë që në raundin e parë të zgjedhjeve.
Në Komunën e Dibrës, kandidati i pavarur, Ramadan Imeri, ka kaluar me vota Ilirjan Fetahun e AKI-së dhe në rrethin e dytë do të përballet me Fisnik Melën e VLEN-it.
Në Komunën e Haraçinës, gjithashtu prin VLEN me kandidatin Daut Beqiri ndaj kandidatit të AKI-së, Skender Isufi, por nuk dihet ende nëse gara do të kalojë në raundin e parë.
Në Komunën e Bërnicës, në raundin e dytë do të shkojnë kandidati i VLEN, Haqim Ramadani, dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Jovica Ilievski.
nga AKI deklarojnë se prijnë me mbi 20 mijë vota përballë VLEN-it në nivel nacional. Megjithatë, VLEN ka avantazhin për sa i përket numrit të komunave të fituara. Rezultatet përfundimtare dhe çertifikimi i zgjedhjeve pritet të dalin nesër.