Zgjedhjet Vlorë: 2 kandidatë të pavarur sfidojnë PS

Bashkia Vlorë, dy të pavarur sfidojnë dominimin socialist

Qytetarët e Vlorës, të dielën, do të kenë mundësinë të zgjedhin mes tre kandidatëve për deputetë: dy të pavarur dhe një socialist. Njëri nga kandidatët e pavarur mbështetet nga opozita kryesore, ndërsa tjetri jo. Megjithatë, pritshmëritë për sfiduesit mbeten të ulëta në një bashki që ka votuar tradicionalisht socialistët që pas trazirave civile të vitit 1997, periudhë e cila pati pasoja veçanërisht tragjike për qytetin.

Të dhënat historike tregojnë se pjesëmarrja në zgjedhje në Vlorë ka qenë ndër më të ulëtat në nivel kombëtar. Kjo duket të lidhet më shumë me shkallën e lartë të emigrimit sesa me moskokëçarje apo bojkot të proceseve zgjedhore.

Sipas Censit të vitit 2023, Bashkia e Vlorës numëronte 83 mijë banorë, ndërsa në Regjistrin Civil figuronin 206 mijë qytetarë. Kjo diferencë sugjeron se rreth 60% e qytetarëve jetojnë jashtë vendit, pa përfshirë ata që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare dhe për rrjedhojë nuk janë më pjesë e regjistrit civil.

Si pasojë e emigrimit, numri i votave të hedhura në zgjedhjet për pushtetin vendor në Vlorë ka pësuar rënie, pavarësisht rritjes së popullsisë me të drejtë vote. Popullsia me të drejtë vote është rritur në Shqipëri për shkak të ndryshimeve në strukturën moshore të popullsisë, ku rënia ka prekur më shumë grupmoshat e fëmijëve dhe të rinjve, dhe më pak qytetarët e moshës së mesme apo të tretë.

Në zgjedhjet e vitit 2007, në territorin e bashkisë së sotme Vlorë (e cila përfshin ish-komunat Orikum, Qendër Vlorë, Novoselë dhe Shushicë), kishte 134 mijë qytetarë me të drejtë vote dhe rreth 48 mijë pjesëmarrës. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2023, qytetarët me të drejtë vote ishin 168 mijë, por votuesit ranë në 41 mijë.

Socialistët fituan Bashkinë e Vlorës me 59% të votave edhe në vitin 2007. Në atë kohë, demokratët, të cilët kontrollonin qeverisjen qendrore, arritën të zgjedhin kryekomunarë në Orikum, Novoselë dhe Shushicë, ndërsa në Qendër Vlorë fitoi një kandidat i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Në zgjedhjet e vitit 2011, socialistët fituan Orikumin. Pak muaj më parë, qeveria demokrate kishte dërguar forca policore për të përballur banorët protestues që kërkonin pronësinë e tokave, ku sot janë ndërtuar pallate. Socialistët fituan sërish zgjedhjet në qytetin e Vlorës, këtë herë me 55% të votave. Një kandidat i pavarur fitoi në Novoselë, ndërsa Qendër Vlorë u fitua nga demokratët me të njëjtin kandidat që më 2007 kishte fituar në emër të PBDNJ-së. Shushica gjithashtu u fitua nga PD.

Fitoret e PD-së në komunat përbërëse të Bashkisë së sotme Vlorë në vitet 2007 dhe 2011 nuk kanë pasur peshë të madhe, pasi qyteti i Vlorës përbën shumicën dërrmuese të votuesve. Kështu, kandidatët e së majtës morën 50% të votave në 2007 dhe 49% në 2011, kundrejt 38% dhe 41% të demokratëve.

Pas zgjedhjeve të vitit 2015, socialistët kanë fituar Vlorën me shumicë dërrmuese, si në zgjedhjet vendore ashtu edhe në ato kombëtare.

Zgjedhjet e parakohshme për postin e kryetarit të Bashkisë Vlorë u shkaktuan nga dorëheqja e kryebashkiakut të mëparshëm, Ermal Dredha, i cili kishte fituar zgjedhjet e vitit 2023. Paraardhësi i tij, Dritan Leli, nuk u rikandidua me urdhër të kryesocialistit Edi Rama.

Në zgjedhjet e së dielës garojnë Brunilda Mersini nga Partia Socialiste, si dhe Dionis Sota dhe Gjergji Nika, të dy të pavarur. Gjithsej 172 mijë qytetarë kanë të drejtë të votojnë.

Scroll to Top