Bllokimi i juglindjes, Doganat thonë se kanë gjetur zgjidhje për kamionët me mallra
Drejtoria e Doganave ka njoftuar se ka marrë masa konkrete për të siguruar vijimin normal të qarkullimit të mallrave dhe kryerjen e formaliteteve doganore, pas situatës së krijuar nga bllokimi i aksit Librazhd-Përrenjas për shkak të rrëshqitjes së dherave.
Drejtori i Doganave, Besmir Beja, gjatë një konference për media të mbajtur sot së bashku me zyrtarë të tjerë, deklaroi se për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë propozuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare:
- Bllatë (Dibër): për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj.
- Kakavijë: për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj.
Janë ndërmarrë gjithashtu masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët doganore Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, derisa të normalizohet situata rrugore.
Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet homologe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është arritur një mirëkuptim i plotë për lehtësimin e qarkullimit. Pala maqedonase do të mundësojë në pikën kufitare Bllatë:
- Kalimin e kamionëve dhe trailerave të ngarkuar nga ora 12:00 deri në 22:00.
- Kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë.
- Kalimin e produkteve agro-ushqimore që kërkojnë certifikim.
Dogana shqiptare po vijon kontaktet edhe me palën kosovare për të mundësuar lehtësime të mëtejshme në hyrje-daljet e mjeteve dhe mallrave.
Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar ose në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar. Konkretisht, operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri.
