Hulumtimi i New York Times: Si po zhduken gjeneralët në Kinë
Udhëheqja ushtarake e Kinës u paraqit para kombit në mars të vitit 2023, duke treguar një imazh uniteti pas Xi Jinpingut. Pas gati një dekade në pushtet, Xi kishte siguruar komandën e lartë që dëshironte: besnikë të zgjedhur prej tij për ta kthyer Ushtrinë Çlirimtare Popullore në një forcë të nivelit botëror.
Megjithatë, as besnikët e Xi nuk u kursyen nga fushata e tij gjithëpërfshirëse për të “pastruar” ushtrinë. Spastrime këto, të cilat zyrtarisht përqendrohen te korrupsioni, por që lidhen gjithashtu me besnikërinë ndaj tij. Një nga një, anëtarë të Komisionit Qendror Ushtarak janë shkarkuar dhe vënë nën hetim.
I fundit ishte gjenerali Zhang Youxia, gjenerali më i lartë i Xi. Xi ka larguar gjithashtu dhjetëra zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë në pak më pak se tre vjet, në një nivel të pashembullt në historinë moderne kineze. Këto spastrime janë një demonstrim i fuqisë së jashtëzakonshme të Xi Jinping, por kanë krijuar gjithashtu një boshllëk drejtues në të gjithë ushtrinë.
Rënia e gjeneralit Zhang dhe e një komandanti tjetër, gjeneralit Liu Zhenli, e ka lënë Komisionin Qendror Ushtarak pa drejtuesit kryesorë që përgatisin forcat për betejë. Ndërkohë që një numër oficerësh më pak të lartë janë gjithashtu të përfshirë në planifikimin praktik të veprimeve të mëdha ushtarake, humbja e menjëhershme e dy komandantëve kryesorë “operativë” mund, për një kohë, të minojë besimin e Xi në gatishmërinë e Ushtrisë Çlirimtare Popullore.
Gjenerali i vetëm që ka mbetur në komision është Zhang Shengmin, i cili ka mbikëqyrur spastrimet ushtarake të Xi-së dhe tani duket se është përgjegjës për ruajtjen e disiplinës politike dhe besnikërisë. Gjenerali Zhang e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si oficer kundër korrupsionit dhe inspektor i disiplinës politike në Forcën e Raketave, e cila kontrollon programet kineze të raketave bërthamore dhe konvencionale. Xi e promovoi atë vitin e kaluar në postin e zëvendëskryetarit të Komisionit Qendror Ushtarak.
Shkarkimet kanë depërtuar thellë edhe në pothuajse të gjitha degët e tjera të forcave të armatosura. Kjo përfshin Forcën e Raketave, si edhe marinën. Pesë “komandat teatrore”, rajone që Xi krijoi në vitin 2016 për të menaxhuar forcat e armatosura, janë goditur rëndë gjithashtu, përfshirë Komandën e Teatrit Lindor, e cila është përgjegjëse për operacionet rreth Tajvanit.
Në fund të vitit të kaluar, Xi emëroi një komandant të ri për Teatrin Lindor. Një pjesë e madhe e komandës ushtarake është bosh ose e sapoardhur në detyrë. Që prej rënies së gjeneralit Zhang, gazeta zyrtare e ushtrisë kineze u ka bërë thirrje oficerëve dhe ushtarëve të mbështesin vendimin dhe të rreshtohen pas Xi. Ajo ka pranuar gjithashtu se shkarkimet dhe ndërprerjet po shkaktojnë “vështirësi dhe dhimbje afatshkurtra”.
Në fund, tha gazeta, do të dalë një ushtri kineze edhe më e fortë. Por fillimisht, Xi duhet të gjejë një grup tjetër gjeneralësh të besueshëm, të cilëve mund t’u zërë besë, ndërsa udhëheqësi 72-vjeçar synon një mandat të katërt si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës nga viti 2027, të cilin pothuajse me siguri do ta marrë.
