Zheni Gjergji drejtore spitali, Berisha e akuzon për tradhti

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, është emëruar drejtoreshë e Spitalit Rajonal ‘Dr. Xhaferr Kongoli’ në Elbasan.

Gjergji, duke njoftuar detyrën e re dhe largimin nga Partia Demokratike, theksoi se ky nuk ka qenë një vendim i lehtë politik, por një zgjedhje thellësisht profesionale. Sipas saj, shëndetësia ka nevojë për njerëz që e njohin mirë sistemin, që ndjejnë peshën e përgjegjësisë dhe që janë të gatshëm të punojnë me përkushtim, duke lënë mënjanë bindjet dhe kornizat politike.

“Sot kam pranuar me përgjegjësi dhe përulësi detyrën si Drejtoreshë e Spitalit Rajonal “ Dr. Xhaferr Kongoli” Elbasan. Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor. Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke. Profesioni im është thirrje, jo pozicion. Kam zgjedhur të jem aty ku mund të jap më shumë për shëndetin e njerëzve, për komunitetin tim, për qytetin që dua. Elbasani është qyteti im, vendi ku jam rritur dhe ku kam ndërtuar identitetin tim profesional. Të jem në krye të institucionit më të rëndësishëm shëndetësor të këtij qyteti është për mua një nder, por mbi të gjitha një sfidë që kërkon përkushtim, dije dhe ndershmëri. Shëndetësia ka nevojë për njerëz që e njohin sistemin, që ndjejnë barrën e përgjegjësisë dhe që janë të gatshëm të punojnë me përkushtim, përtej bindjeve dhe kornizave politike. Faleminderit për besimin. Angazhimi im do të jetë çdo ditë në shërbim të pacientit, stafit mjekësor dhe dinjitetit të kujdesit shëndetësor,” shkroi Zheni Gjergji.

Kryedemokrati Sali Berisha komentoi emërimin e ish-deputetes Zheni Gjergji si drejtoreshë të Spitalit të Elbasanit. Sipas tij, Gjergji ka tradhtuar besimin e mbështetësve të saj dhe i është bashkuar asaj që ai e cilësoi “partia e krimit”. Ai shtoi se kushdo që shkelmon mbi besimin e qytetarëve do të përjashtohet automatikisht nga PD.

“Nuk është kjo një raport i këtyre individëve me Sali Berishën. Kemi të bëjmë një raport me ata që i kanë votuar, me ata që i kanë mbështetur. Një gjë mund të them, për Sali Berishën, të gjithë ata që shkelmojnë mbi atë besim dhe atë mbështetje, janë automatikisht jashtë kësaj force politike. Sepse 99.9 për qind, në mos më shumë, të atyre që i kanë mbështetur këta individë janë të papunë, janë në kushte të vështira, por nuk dorëzohen. U kanë shërbyer këtyre pak, se janë shumë pak, 3-4 vetë janë gjithsej, kështu që bëjnë një vendim, kalojnë në partinë e krimit, në partinë që i përkasin dhe vetëm kaq. Pra, ky është komenti jo vetëm për atë, por për të gjithë ata. 3-4 janë në Shqipëri, mund të jenë edhe më shumë.”, shtoi ai.

Scroll to Top