Tragjedi në Indi: Zjarri në dy ndërtesa në Kalkuta merr të paktën 25 jetë
Të paktën 25 persona kanë humbur jetën në një zjarr që shkatërroi dy ndërtesa në qytetin e Kolkatës, në verilindje të Indisë. Rreth 20 persona rezultojnë ende të zhdukur, sipas njoftimeve të autoriteteve lokale të premten.
Zjarri shpërtheu herët në mëngjes në një ndërtesë të një kompanie dekorimi dhe më pas përfshiu një restorant ushqimi të shpejtë, duke izoluar banorët brenda ndërtesave.
“Zjarri i zuri në gjumë dhe përhapja ishte e shpejtë drejt ndërtesës tjetër,” tha Sujit Bose, ministër përgjegjës për shërbimin e zjarrfikësve në shtetin Bengal Perëndimor.
Kreu i shërbimeve të emergjencës, Ranvir Kumar, bëri të ditur se ndërtesat nuk posedonin të gjitha pajisjet e nevojshme të sigurisë sipas kërkesave ligjore, duke shtuar kështu rrezikun për banorët dhe punonjësit.
Zjarret në Indi janë incidente të shpeshta, shpesh të lidhura me infrastrukturën e dobët dhe mosrespektimin e rregullave të sigurisë në ndërtesa. Në fillim të janarit, një ngjarje e ngjashme në një klub nate në Goa rezultoi me 25 të vdekur.
Autoritetet po vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur dhe nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të rritet.
