Muzeu Nënujor në Sarandë përfshihet nga flakët
Një zjarr ka shpërthyer mesditën e sotme në një godinë në ndërtim të Muzeut Nënujor në Sarandë, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe bizneseve në zonat përreth.
Sipas informacioneve fillestare, zjarri ka rënë në katet nëntokësore të ish-maternitetit të qytetit. Ky objekt po rikonstruktohet aktualisht për t’u shndërruar në muzeun e Botës Nënujore.
Dyshohet se shkak për zjarrin janë materialet e polisterolit të përdorura gjatë punimeve. Tymi i zi dhe i dendur është përhapur shpejt në ajër, duke alarmuar banorët dhe duke ngritur shqetësime për sigurinë e ndërtesave fqinje.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për neutralizimin e flakëve. Falë reagimit të shpejtë, situata është vënë nën kontroll dhe zjarri është shuar plotësisht.
Nga të dhënat paraprake nuk raportohet për persona të lënduar. Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
