Zjarr tragjik në Spanjë, 5 të vdekur, përfshirë fëmijë

Zjarr në një ndërtesë pesëkatëshe në Spanjë, pesë viktima, përfshirë fëmijë

Pesë të rinj kanë humbur jetën në një zjarr të tmerrshëm në një ndërtesë pesëkatëshe në Spanjë. Zjarri raportohet të ketë shpërthyer në një hapësirë magazinimi në papafingon e bllokut të banimit pesëkatësh, në qytetin e vogël të Manlleu, rreth 80 kilometra në veri të Barcelonës.

Zjarrfikësit nxituan drejt vendngjarjes pas marrjes së alarmit të hënën, pak pas orës 21:00 me orën lokale. Ende nuk është bërë e ditur identiteti i viktimave, por raportet sugjerojnë se mes tyre ka edhe fëmijë dhe se asnjë nga viktimat nuk banonte në ndërtesë. Dëshmitarë të pranishëm i thanë mediave lokale se të gjitha viktimat ishin nën moshën 18 vjeç, ndërsa njëri prej tyre ishte vetëm 12 vjeç.

Katër persona të tjerë, të cilët pësuan djegie, u dërguan me urgjencë në spital. Është nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e shpërthimit të zjarrit dhe arsyet pse viktimat nuk mundën të largoheshin nga hapësira e magazinimit.

Një teori kryesore sugjeron se flakët u përhapën pasi një dyshek mori flakë, duke shkaktuar vdekjen e viktimave nga thithja e tymit, sipas burimeve policore të cituara nga “El Pais”. Gjyshi i njërit prej viktimave deklaroi për “La Vanguardia” se hapësira përdorej si pikë takimi.

Fqinjët thanë se dhomat e magazinimit ishin lënë pas dore për një kohë për shkak të akteve të vandalizmit dhe se të rinjtë i përdornin ato herë pas here.

Katër nga viktimat ishin nxënës të shkollës së mesme lokale “Antoni Pous”, sipas një deklarate të lëshuar nga shkolla. “Jemi të vetëdijshëm për ndikimin që kjo ka pasur tek të gjithë ne,” thuhet në deklaratë. “Si institucion arsimor, ne do të vazhdojmë të kujdesemi për mirëqenien e studentëve tanë.”

Kryetari i bashkisë së qytetit ka shpallur tre ditë zie dhe ka theksuar se mbështetje po ofrohet edhe për familjarët e viktimave.

Udhëheqësi rajonal i Katalonjës, Salvador Illa Roca, shprehu ngushëllimet e tij më të thella familjeve dhe miqve të viktimave, duke shkruar në platformën X se ishte “thellësisht i trishtuar nga vdekja e pesë personave”.

Tre familje janë akomoduar në një hotel aty pranë, ndërsa banorët e tjerë janë kthyer në banesat e tyre, sipas një postimi në median sociale të Mbrojtjes Civile Katalanase.

Scroll to Top