Zjarr në Bulqizë, flakët përfshijnë zonën e Krajkës
Ardhja e pranverës ka rikthyer edhe problemin madhor me pyjet e vendit tonë, atë të zjarreve. Djegia e barishteve të këqija në tokat bujqësore apo livadhe, është bërë shpesh shkak për aktivizimin e vatrave të mëdha zjarri, të cilat më pas dalin jashtë kontrollit të banorëve.
Një vatër zjarri është aktivizuar pasditen e sotme në fshatin Krajkë të Bulqizës. Siç duket nga pamjet, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe po i afrohen banesave. Për shkak të erës së fortë, vatra e zjarrit përhapet me shpejtësi. Pritet ndërhyrja e autoriteteve vendore për neutralizimin e zjarrit dhe parandalimin e pasojave të rënda.
Një situatë e ngjashme përsëritet çdo vit jo vetëm në zonën e Bulqizës, por në të gjithë territorin e Qarkut Dibër. Pastrimi i tokave nga banorët duke përdorur zjarrin, sjell që situata t’u dalë jashtë kontrollit dhe të shkaktohet dëm i madh ekonomik, kryesisht në pyjet e dushqeve.
Autoritetet këshillojnë banorët që të tregojnë kujdes gjatë kësaj periudhe, pasi nëse bëhen shkak për djegien e pyjeve, do të përballen me ndëshkimet ligjore.
