Zvicër: Rreth 40 të vdekur dhe 100 të plagosur nga zjarri në resortin e skive Crans-Montana
Të paktën 40 persona raportohet të kenë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një bar në resortin zviceran të skive Crans-Montana gjatë festimeve të Vitit të Ri.
Prokurorja e Përgjithshme, Beatrice Pilloud, deklaroi në një konferencë për shtyp se nuk është në gjendje të japë një afat kohor për rezultatet e para të hetimit. Ajo shtoi se ekipe të specializuara po punojnë për të dhënë përgjigje sa më shpejt të jetë e mundur.
Drejtori i Spitalit Universitar të Lozanës, Claire Charmet, theksoi se “trajtimi i plagëve nga djegiet mund të zgjasë disa javë, ose muaj. Këta janë pacientë të rinj, me moshë mesatare midis 16 dhe 26 vjeç.”
I pyetur në lidhje me numrin e personave të pranishëm në lokal në momentin e zjarrit, kryetari i bashkisë së Crans-Montana, Nicolas Féraud, u shpreh se nuk ka një shifër të saktë. Ai shtoi se ekzistojnë rregullore të caktuara dhe se shërbimet e sigurisë kryejnë inspektime vjetore për të siguruar respektimin e normave të shëndetit dhe sigurisë.
Sipas gazetës zvicerane “24 Heures”, njëzet e dy të rinj me plagë të rënda janë transportuar me helikopter në spitalin e Lozanës. Tetë pacientë po transferohen në kujdes intensiv, sipas Charmet.
Pas këtij tragjedisë në resortin Crans-Montana, ku policia konfirmoi vdekjen e 40 personave dhe plagosjen e rreth 100 të tjerëve, klinika në Lozanë ka aktivizuar një plan krize për të përballuar numrin e madh të pacientëve të plagosur.
