Një zyrtar i ASHK dhe një kryeplak në Sauk dënohen për blerje votash.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të mërkurën, më 26 nëntor, deklarimin fajtor të zyrtarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dritan Stoka, dhe kryeplakut të Lagjes së Re Sauk, Agim Osma. Ata ishin akuzuar për veprat penale të kryera në bashkëpunim gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019: “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
I gjykuari Dritan Stoka u shpall fajtor për të dy veprat penale për të cilat u akuzua dhe u dënua në total me 3 vjet burgim, dënim i cili, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, u reduktua në 2 vjet heqje lirie.
Po ashtu, i pandehuri Agim Osma u shpall fajtor për të dy akuzat dhe u dënua me të njëjtën masë përfundimtare, 2 vjet heqje lirie. Në këtë rast, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur, duke e vendosur të pandehurin Agim Osma në provë për një periudhë kohe prej 24 muajsh.
Sipas SPAK, të akuzuarit kanë kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të zgjedhësve, duke i detyruar ata për të votuar ose duke përcaktuar mënyrën e votimit, në këmbim të përfitimeve të parregullta, siç ishte qëndrimi në punë ose nxjerrja e lejeve të legalizimit për ndërtime informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.
Gjithashtu, nga bisedat e përgjuara, ka rezultuar se të pandehurit kanë kërkuar dhe marrë përfitime të parregullta për të ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të disa shtetasve.
Në zgjedhjet e vitit 2019, opozita nuk mori pjesë dhe partia e vetme realisht në garë ishte Partia Socialiste, e cila i fitoi zgjedhjet.