Numri i makinave në Shqipëri arrin në 1.05 milionë, një në tre shqiptarë me veturë
Në fund të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore të regjistruara (me status aktiv ose të çregjistruara përkohësisht) ka arritur në 1.048.092, duke shënuar një rritje prej 9,3% krahasuar me vitin 2024. Autoveturat përbëjnë 80,8% të totalit të mjeteve rrugore. Numri i autoveturave për 1.000 banorë është rritur në 361, nga 326 në vitin 2024. Kjo tregon se mesatarisht një shqiptar ka më shumë se një veturë.
Sipas qarqeve, Tirana kryeson me numrin më të madh të mjeteve rrugore, duke përbërë 34,7% të totalit. Pas saj vijnë Durrësi me 13,6% dhe Fieri me 9,1%. Qarku i Durrësit rezulton të ketë nivelin më të lartë të motorizimit në vend, me 535 autovetura për 1.000 banorë.
Makinat e vjetra
Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve që qarkullojnë në rrugë janë të vjetra. Autoveturat me moshë 11–20 vjet përbëjnë 45,7% të autoveturave gjithsej. Mjetet me kambio manuale zënë 55,9% të totalit të mjeteve rrugore. Mjetet e prodhuara gjatë periudhës 2000–2010 përbëjnë 55,3% të totalit të mjeteve rrugore.
Markat më të përhapura, mbizotëron Volkswagen
Marka Volkswagen është më e përhapura ndër autoveturat në vend, duke zënë 19,7% të totalit, e ndjekur nga Mercedes-Benz me 18,1%.
Lënda djegëse, dominon nafta, por pothuajse dyfishohen makinat elektrike
Nafta mbetet lënda djegëse dominuese për autoveturat në vitin 2025, duke përbërë 72,1% të totalit. Megjithatë, vitet e fundit vihet re një rritje e numrit të mjeteve elektrike. Numri i autoveturave elektrike u rrit me 91,2% krahasuar me vitin 2024.
