Urejtja ka arritur kulmin, Odesa po synon ndalimin e gjuhës ruse në art
Qyteti ukrainas i Odesës, një nga qendrat më të mëdha të vendit me popullsi kryesisht rusishtfolëse, pritet të vendosë këtë javë nëse do të miratojë një propozim kontrovers për ndalimin e përdorimit të gjuhës ruse në art dhe hapësirat publike. Nisma synon të zgjerojë kufizimet ekzistuese ndaj gjuhës ruse, të cilat janë tashmë të vendosura përmes legjislacionit kombëtar ukrainas.
Nëse miratohet, propozimi do të ndalonte përmbajtjet në gjuhën ruse në muzikë dhe letërsi në rrugë, parqe, institucione publike, si dhe në ambientet shtetërore të artit dhe argëtimit. Këshilli vendor do të rekomandonte gjithashtu kufizime të ngjashme edhe në hapësirat private. Megjithatë, përdorimi i përditshëm i rusishtes nga qytetarët nuk do të preket nga ky ndalim.
Kjo masë ka shkaktuar reagime të forta në një qytet me një trashëgimi të pasur kulturore në gjuhën ruse dhe ku kjo gjuhë vazhdon të përdoret gjerësisht. Sipas mbështetësve të nismës, kufizimi i gjuhës ruse është pjesë e procesit të “dekolonizimit” të Odesës dhe mbrojtjes së identitetit ukrainas. Avokati Artem Kartashov, i cili ka këshilluar autoritetet lokale për këtë program, e konsideron rusishten një instrument të ndikimit të Moskës, veçanërisht tek të rinjtë.
Propozimi parashikon gjithashtu heqjen nga ekspozimi në bibliotekat publike të librave në gjuhën ruse. Në hapësirat publike do të preken edhe këngë të vjetra të Odesës, të njohura gjerësisht në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Kundërshtarët e masës argumentojnë se gjuha ruse nuk mund të identifikohet vetëm me politikën e Vladimir Putinit. Aktori i njohur i humorit, Borys Barsky, ka kritikuar ashpër nismën, duke theksuar se rusishtja është gjithashtu gjuha e autorëve të mëdhenj të letërsisë.
Debati zhvillohet në një kohë kur Odesa është vazhdimisht në shënjestër të sulmeve ruse me dronë dhe raketa. Për miliona ukrainas, rusishtja mbetet gjuha e parë, përfshirë edhe shumë prej ushtarëve që luftojnë kundër Rusisë.
Gjuha ukrainase është e vetmja gjuhë shtetërore në Ukrainë dhe një ligj i vitit 2019 kërkon përdorimin e saj në një sërë fushash publike dhe profesionale, përfshirë arsimin, shërbimet publike dhe komunikimin me klientët. Punonjësit duhet t’u drejtohen fillimisht qytetarëve në gjuhën ukrainase, por mund të kalojnë në rusisht nëse klienti e kërkon.
