28 Nëntor, Shqipëria feston sot 113-vjetorin e shpalljes së pavarësisë
Sot Shqipëria feston 113-vjetorin e Pavarësisë. Shqiptarët e të gjitha trevave e nderojnë këtë ditë si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit.
Në të gjitha qytetet zhvillohen aktivitete festive, me qendër në Vlorë, aty ku Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi më 28 nëntor të vitit 1912.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë. Në Kuvendin e Vlorës morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë.
Menjëherë pas saj, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve, të njohur ndryshe edhe si Pleqësia.
Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
