Plagë në zemër dhe stomak, 15-vjeçari në Durrës u fut menjëherë në operacion
Spitali Rajonal i Durrësit ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e 15-vjeçarit të plagosur këtë të mërkurë pas një konflikti mes gjimnazistëve. Sipas njoftimit të spitalit, i mituri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të plagëve në zemër dhe stomak. Për fat të mirë, ai ndodhet në gjendje të stabilizuar, por vijon të jetë në reanimacion.
“Një 15-vjeçar mbërriti në urgjencë në gjendje tejet kritike, me plagë të shumta penetruese dhe organe të dëmtuara nga mjeti prerës. Zemra kishte dy çarje, secila nga 2 cm, me tamponadë kardiake, ndërsa në rajonin e stomakut u konstatua një çarje prej 3 cm. Gjendja ishte kritike. Ai u dërgua menjëherë në sallën e operacionit, ku ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje të vështirë. Dëmtimet jetike u menaxhuan dhe u rikthye stabiliteti hemodinamik. Ky ishte një reagim i shpejtë dhe efikas, pa humbur asnjë minutë,” sqaron spitali.
Njoftimi vlerëson profesionalizmin e kirurgëve F. Shini dhe E. Demiraj, si dhe të anesteziologut A. Banushi, të cilët me qetësi dhe aftësi profesionale e çuan rastin drejt suksesit. Aktualisht, pacienti po merr trajtim në Reanimacion dhe gjendja e tij është e stabilizuar.
