### 2025 në foto: Imazhet kryesore të vitit sipas Lapsi.al
Ky artikull ofron një përmbledhje vizuale të ngjarjeve më të rëndësishme të vitit 2025, duke paraqitur momente ikonike të shënuara nga redaksia e Lapsi.al.
* 6 JANAR: Sali Berisha pajtohet me masën “detyrim paraqitje” nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas një viti arrest shtëpie. Ai e shndërron paraqitjen në protestë para godinës së SPAK, duke e sulmuar Altin Dumanin.
* 27 JANAR: Serbët dalin në protesta masive në Beograd, të udhëhequra nga studentët. Kërkohet transparencë dhe përgjegjësi për korrupsionin që shkaktoi vdekjen e 15 personave në stacionin e trenit në Novi Sad.
* 28 JANAR: Arkivoli me trupin e pajetë të Anastas Janullatos në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, vendi i tij i fundit. Në foto duket i përkulur kryeministri i Greqisë, Kiriakos Mitsotakis. Shërbesa e Janullatos në Shqipëri u shoqërua gjithnjë me polemika për drejtimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë nga një shtetas grek.
* 10 SHKURT: Arrestohet kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zyrtari më i lartë në detyrë i arrestuar ndonjëherë me urdhër të SPAK. Fotot tregojnë momentet e fundit kur Erion Veliaj ishte i lirë, duke dalë nga zyra. Që prej datës 10 shkurt ai po mbahet në paraburgimin e Durrësit dhe SPAK i ka vënë përballë 13 akuza.
* 10 SHKURT: Lëvizja Vetëvendosje del partia më e votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë me 41% të votave. Albin Kurti deklaroi entuziast se do të arrinte të krijonte qeverinë e re, por për thuajse një vit, kjo ishte e pamundur për të.
* 11 SHKURT: Kryeministri Edi Rama rikthehet në bashkinë e Tiranës, pas arrestimit të Erion Veliajt. Në ditët që pasojnë, ai do të shuajë protestat dhe do të shkarkojë të besuarit e Veliajt, duke kryer emërime të reja.
* 12 SHKURT: Rama duke mbajtur foton simbolike të drejtësisë së balancuar. Në mbledhjen e grupit parlamentar sulmoi gjykatësin Erjon Bani që firmosi arrestimin e Erjon Veliajt. Megjithatë, edhe Rama iu kthye shpejt mbështetjes për drejtësinë.
* 21 SHKURT: Safet Bajri, duke buzëqeshur përballë kamerave, pasi u arrestua nga Renea. Një prej emrave të njohur të botës së krimit, me ndikim në Shkodër, kishte dhënë një intervistë në Top Channel ku mohonte krimet për të cilat akuzohej nga SPAK. Goditja ndaj grupit të Bajrave erdhi pas bisedave në SKY ECC, që zbuluan disa atentate në Shkodër.
* 28 SHKURT: Përplasje spektakolare mes presidentit Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Ky moment shenjoi një sjellje krejt tjetër të SHBA ndaj luftës në Ukrainë. Trump ende vazhdon përpjekjet për ta mbyllur konfliktin, pasi ka zbutur mjaftueshëm marrëdhëniet me Putinin.
* MARS: Protesta të dhunshme në Stamboll pas arrestimit të një prej kundërshtarëve më të njohur të Erdoganit, kryetarit të bashkisë së Stambollit Ekrem İmamoğlu. Ai është ende në burg dhe akuzohet për korrupsion dhe pjesëmarrje në organizata që veprojnë kundër vendit.
* PRILL: Rama personalizon garën për 11 Majin. Slogani i fushatës së Partisë Socialiste për mandatin e katërt shkruan “Shqipëria 2030 në BE! Vetëm Me Edin dhe PS”.
* PRILL: Berisha në Brescia, Itali në miting me emigrantët shqiptarë atje. Në krah të tij janë njerëzit që i kanë dhënë formë fushatave të Donald Trump, Chris LaCivita dhe Paul Manafort. PD kontraktoi një kompani lobimi në SHBA, duke arritur tek disa nga njerëzit më të afërt të kabinetit të Trump.
* MAJ: Ylli në ngjitje i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 Majit, aktualisht deputete e Kuvendit, e zgjedhur me votat e qytetarëve të Fierit. Krah saj, Belinda Balluku, drejtuese e fushatës në Fier, që arriti një rezultat rekord në 11 Maj.
* MAJ: Shqipëria pret edicionin e 108-të të “Giro d’Italia”. Shuma që pagoi qeveria shqiptare për garën elitë të çiklizmit në Durrës, Tiranë dhe Vlorë është 7 milionë euro.
* 8 MAJ: Tym i bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine në Vatikan, duke sinjalizuar se është zgjedhur pasardhësi i Papa Françeskut.
* MAJ: Rama bën parashikimin për zgjedhjet parlamentare në Kuç të Vlorës. Synimi ishte nga 78 deri në 88 deputetë në rastin më të mirë. Procesi u mbyll me rezultate të ndryshme.
* 16 MAJ: Rama ulet në gjunjë para Giorgia Melonit. Tapeti i kuq është shtruar për pritjen e liderëve të BE në Tiranë, që erdhën pak ditë pas zgjedhjeve. Meloni po tenton të sjellë në Shqipëri refugjatët e inkriminuar të Italisë të izoluar në burgun e Gjadrit.
* QERSHOR: Edi Rama në dasmën e Alex Soros në SHBA. Në ceremoni ishin emra të njohur të demokratëve si Bill e Hillary Clinton, Kamala Harris dhe financieri i njohur britanik James Rothschild. Kryeministri i Shqipërisë ka mbajtur një fjalim në dasëm, raportuan mediat amerikane.
* QERSHOR: Rama bën për ujë të ftohtë Ermal Dredhën, kryebashkiakun e Vlorës, gjatë festës së Partisë Socialiste. Shkak mosmarrëveshjet e brendshme që çuan në largimin e Dredhës nga detyra dhe zëvendësimin e tij me Bruna Mersinin.
* QERSHOR: Rrënojat e impianteve bërthamore në Iran, pas sulmeve nga SHBA. Bota mbajti frymën për disa orë nga frika e përshkallëzimit drejt një Lufte të Tretë Botërore.
* KORRIK: Jared Kushner dhe Ivanka Trump pas një dreke në Vlorë. Vizita e tyre është parathënie e projektit për shndërrimin e Sazanit në një ishull ekskluziv për të pasurit. Mbetet në dyshim interesi i qytetarëve shqiptarë në këtë marrëveshje.
* KORRIK: Banor i Thethit në protestë para fadromave. Në korrik, IKMT ndërmori një aksion për prishjen e bujtinave, duke u përplasur me banorët që kishin besuar premtimet e kryeministrit Rama për t’u kthyer në vendin e tyre dhe për të ndërtuar bujtina për turistët.
* GUSHT: Ushtarë shqiptarë flenë të rraskapitur në rrugë, pas një nate lufte me zjarret. Këtë vit raportohet se u dogjën rreth 50 mijë hektarë pyje në Shqipëri.
* GUSHT: Protestë e gazetarëve të News24 jashtë godinës së televizionit. Policia bllokoi ambientet dhe gazetarët u nxorën jashtë. Sinjali i transmetimit ishte ndërprerë, pasi godina i kaloi në pronësi ushtrisë.
* 23 SHTATOR: Karrigia bosh e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Këshilli bashkiak votoi unanimisht për shkarkimin e Erion Veliajt me urdhër të Edi Ramës. Kryebashkiaku mbetet ende në qelitë e paraburgimit në Durrës.
* TETOR: Protestë pro-Palestinë në Tiranë. Një grup qytetarësh shprehin solidaritet me banorët e Gazës, që gjenden nën sulmet e vazhdueshme të ushtrisë izraelite. Protesta të ngjashme u zhvilluan në të gjithë botën.
* 2 TETOR: Rama lëshon për Trump, i cili kishte bërë një lapsus mbi Shqipërinë. Gafa bëhet virale dhe më vonë kryeministri i Shqipërisë detyrohet të bëjë një ndjesë publike.
* TETOR: Nga SHBA del një foto e publikuar më parë, mes Edi Ramës dhe Charles McGonigal, ish kreu i kundërzbulimit në FBI e Nju Jork, që është burgosur për tradhti.
* 6 TETOR: Elvis Shkambi, pak minuta pas vrasjes së gjykatësit Astrit Kala, duke pritur policinë në dalje të Apelit. Pasi ka kryer krimin, ai qëndron me duar në xhepa.
* 11 TETOR: Rey Manaj feston golin kundër kombëtares së Serbisë, ku kuqezinjtë arritën një fitore historike. Shanset e Shqipërisë për të shkuar në botëror janë ende të hapura.
* TETOR: Kandidatura e opozitës. Për herë të parë, arrihet një mbështetje nga disa parti të reja të opozitës me Partinë Demokratike.
* TETOR: Në Gjykatën Kushtetuese, për të kundërshtuar shkarkimin e tij nga detyra. Zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Tiranës anulohen.
* 31 TETOR: Belinda Balluku hyn në SPAK, duke u marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë. Nis për zv.kryeministren një spirale përplasjesh me SPAK dhe GJKKO.
* NËNTOR: Xhoana Nano, e veja e Fatos Nanos, gjatë ceremonisë së përcjelljes së ish-kryeministrit. Nano ndërroi jetë në spital në moshën 73-vjeçare.
* NËNTOR: Zohran Mamdani, feston fitoren si kryebashkiaku i 111-të i Nju Jorkut. Për herë të parë një socialist demokrat i deklaruar drejton punët në atë që konsiderohet kryeqyteti i financës globale.
* 11 NËNTOR: Transportohet nga makina trupi i pajetë i personit, që konsiderohej si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe u ekzekutua në një atentat në Rinas. Bashkë me të vritet edhe Muçi Shaljani, një agjent i AMP-së.
* DHJETOR: Mbeturina ndotin plazhet e Dubrovnikut në Kroaci. Tonelata me mbeturina u transportuan nga një stuhi në Detin Adriatik.
* 11 DHJETOR: Ambasadori dhe e ngarkuara me punë e SHBA ndjekin mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për t’u siguruar që do të zgjidhej i preferuari i tyre, Klodian Braho. Dhe ashtu ndodhi.
* DHJETOR: Foto nga dosja e SPAK për skandalin e AKSHI-t. Drejtuesja e institucionit Mirlinda Karçanaj në zyrën e Ergys Agasit, i konsideruar si koordinator i krimit të Edi Ramës.
* DHJETOR: Protestues vlonjatë prishin mbrëmjen gala të bashkisë në teatrin Petro Marko. Prej 4 ditësh nuk furnizoheshin me ujë në shtëpitë e tyre.
* DHJETOR: Albin Kurti shënon një fitore akoma më të thellë në zgjedhjet në Kosovë. Tashmë nuk ka nevojë për aleancë me partitë e tjera.
* FOTO: Skandalet e shumta të korrupsionit në qeverinë e Ramës frymëzojnë meme të reja. Në mediat ndërkombëtare qarkullon ky foto-montazh që tregon se si do të arrestohet Diella, ministrja e parë me inteligjencë artificiale në botë./Lapsi.al
