Rezultatet e para të marrëveshjes: Tre cisterna iraniane të naftës kalojnë Ngushticën e Hormuzit pas heqjes së bllokadës amerikane
Tre cisterna gjigante iraniane të naftës kanë lënë pas bllokadën e vendosur nga ushtria amerikane në Ngushticën e Hormuzit, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm në prag të nënshkrimit të një marrëveshjeje kornizë mes Teheranit dhe Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve të shërbimit të specializuar për monitorimin e transportit detar, tre cisterna shumë të mëdha të naftës bruto (VLCC) të kompanisë shtetërore iraniane National Iranian Tanker Company (NITC) transportuan gjithsej 4.8 milionë fuçi naftë dhe kaluan përmes zonës që deri tani ishte nën bllokadën amerikane.
Zhvillimi vjen vetëm dy ditë para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes kornizë ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, e cila synon t’i hapë rrugë negociatave mbi çështje kyçe, përfshirë sanksionet amerikane dhe programin bërthamor iranian.
Pas më shumë se tre muajsh konflikti që ka shkaktuar mijëra viktima, kryesisht në Iran dhe Liban, palët kanë njoftuar se kanë arritur një mirëkuptim paraprak mbi parimet bazë të një marrëveshjeje më të gjerë. Megjithatë, detajet e dokumentit mbeten ende të paqarta.
Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance deklaroi në një intervistë për CNN se teksti aktual është “shumë i përgjithshëm” dhe nuk i kalon “një faqe e gjysmë”.
Sipas diplomatisë iraniane, një nga rezultatet e para konkrete të afrimit mes dy vendeve është heqja e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, e vendosur më 13 prill pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani në fillim të konfliktit.
