Do të rritet taksa e pasurive të paluajtshme, do të jetë 0.1 – 0.2% e vlerës së tregut të ndërtesës
Është publikuar për konsultim projektligji për “Për Taksën mbi Pasurinë e Paluajtshme”, i cili synon reformimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të politikave dhe administrimit të saj, me qëllim konsolidimin financiar të bashkive. Reformimi kryesor ka për qëllim vendosjen e një takse mbi pasurinë e paluajtshme të bazuar në vlerën e tregut.
Drafti parashikon që për të gjitha njësitë e ndërtesave të kategorisë ‘ndërtesa për banim’, shkalla e taksës mund të luhatet nga 0.1% deri në 0.2% të vlerës së tregut. Aktualisht, taksa për shtëpi banimi është 0.05% e vlerës, çka do të rezultojë automatikisht në një rritje.
Sipas relacionit, duke marrë parasysh strukturën aktuale të legjislacionit, kompleksitetin e rregullimit të taksës mbi pasurinë e paluajtshme të bazuar në vlerën e tregut, si dhe përvojat ndërkombëtare, hartimi i një projektligji të veçantë për taksën mbi pasurinë e paluajtshme është vlerësuar si opsioni më i përshtatshëm.
Në mënyrë të përmbledhur, ndryshimet dhe risitë kryesore të pasqyruara në projektligj synojnë:
- Kalimin nga një sistem taksimi të bazuar në vlerë për ndërtesat dhe një sistem të thjeshtë taksimi bazuar mbi sipërfaqen për tokën, në një sistem modern taksimi që aplikon tatim si për ndërtesat ashtu edhe për tokën, bazuar në vlerën e tyre të tregut.
- Zgjerimin e bazës tatimore duke shtuar kategori pasurishë të paluajtshme që taksohen dhe rritjen e numrit të pasurive të paluajtshme të regjistruara në kadastrën fiskale.
- Përmirësimin e barazisë dhe minimizimin e kostove të administrimit të taksës së pasurisë përmes standardizimit të proceseve dhe mbështetjes nga niveli qendror.
- Ofrimin e vazhdueshëm të vlerave të përditësuara të pasurive të paluajtshme, duke siguruar një bazë të drejtë për taksimin, qëndrueshmërinë dhe forcimin e legjitimitetit të sistemit në sytë e taksapaguesve.
- Përmirësimin e efektivitetit të mbledhjes së taksës.
- Rregullimin e aspekteve të parregulluara dhe optimizimin e proceseve kryesore të punës.
- Mbrojtjen e personave ose familjeve me të ardhura të ulëta.
- Rritjen e transparencës dhe lehtësimin e ushtrimit të të drejtave dhe përmbushjes së detyrimeve nga taksapaguesit, përmes publikimit të një game të gjerë informacioni.
- Vendosjen e një niveli të përshtatshëm taksimi për kategori të ndryshme pronash, të përafruar me vendet e rajonit.
- Qartësimin e rregullave mbi rimbursimin e detyrimeve tatimore, ankimin dhe njoftimin e akteve.
- Forcimin e autonomisë financiare të pushtetit vendor përmes krijimit të një burimi më të qëndrueshëm, më të drejtë dhe më të parashikueshëm të të ardhurave, duke fuqizuar kështu bashkitë dhe rritur ndjeshëm investimet dhe shërbimet për qytetarët dhe bizneset.
- Jetësimin e ndikimeve të tjera indirekte pozitive mbi ekonominë.
Elementët dhe politikat kryesore të projektligjit të propozuar janë shtjelluar në detaj në pikën VI të relacionit shoqërues. Kalimi në një sistem taksimi të bazuar në vlerën e tregut dhe përmirësimi i administrimit të taksës së pasurisë synojnë jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe krijimin e një sistemi më të drejtë, më transparent, më efikas dhe më të besueshëm të taksimit të pasurisë.
Sipas parashikimeve të FMN-së, pas implementimit të reformës, të ardhurat e gjeneruara nga kjo taksë mund të arrijnë nivelet e 0.7 – 1% të PBB-së.
Niveli i taksave
Këshilli Bashkiak i çdo Bashkie cakton shkallët e taksës për të gjitha kategoritë e taksimit, brenda intervaleve të mëposhtme:
- a) Për të gjitha parcelat në kategorinë ‘tokë bujqësore-blegtorale’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0.05% deri në 0.15%.
- b) Për të gjitha parcelat në kategorinë ‘tokë pyjore’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0.05% deri në 0.15%.
- c) Për të gjitha parcelat në kategorinë ‘tokë truall’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0.075% deri në 0.175%.
- ç) Për të gjitha parcelat në kategorinë ‘tokë me përdorime të tjera’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0.075% deri në 0.175%.
- d) Për të gjitha njësitë e ndërtesave në kategorinë ‘ndërtesa për banim’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0.1% deri në 0.2%.
- dh) Për të gjitha njësitë e ndërtesave në kategorinë ‘ndërtesa për veprimtari ekonomike’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0.15% deri në 0.25%.
Shkalla e taksës për ndërtesën e papërfunduar është 30% e shkallës së taksës së kategorisë përkatëse ku është klasifikuar.
Këshilli Bashkiak miraton shkallët e zbatueshme të taksës, jo më vonë se data 31 janar e vitit tatimor. Shkallët e miratuara i dërgohen Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, brenda 5 ditëve kalendarike nga miratimi dhe jo më vonë se data 7 shkurt e vitit tatimor.
Nëse Bashkia nuk dërgon shkallët e taksës brenda afatit të përcaktuar, zbatohet shkalla e fundit e taksës e përcaktuar nga Këshilli Bashkiak. Në rast se shkalla e taksës për një apo më shumë kategori nuk është caktuar ndonjëherë, zbatohet shkalla më e ulët e taksës përkatëse.
