Publikohet lista e plotë me 337 profesione të rregulluara që do të rishikohen
Qeveria ka identifikuar një listë të plotë prej 337 profesionesh të rregulluara, të cilat do t’i nënshtrohen një procesi të rishikimit. Ky proces bëhet në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Lista përfshin një gamë të gjerë profesionistësh, duke filluar nga mjekët, farmacistët dhe arkitektët, e deri te audituesit, ekspertët kontabël, agjentët doganorë dhe specialistë të sektorëve të tjerë.
Plani Kombëtar, i miratuar për këtë proces, detajon 337 profesione të mbikëqyrura nga 33 institucione. Këto institucione përfshijnë ministri, urdhra profesionalë, dhoma profesionale dhe autoritete rregullatore.
Revista Monitor ka publikuar listën e plotë të këtyre profesioneve, të cilat janë përfshirë në Planin Kombëtar. Për secilin autoritet përgjegjës, dokumenti sqaron:
- Profesionet e konfirmuara si të rregulluara.
- Profesionet që kërkojnë verifikim të mëtejshëm.
- Kriteret për hyrjen dhe ushtrimin e profesionit.
Kjo ndarje do të shërbejë si bazë për zbatimin e masave të parashikuara në Planin Kombëtar. Synimi kryesor është rritja e transparencës dhe vlerësimi i nevojshmërisë dhe proporcionalitetit të kërkesave për ushtrimin e profesioneve.
Dokumenti synon gjithashtu përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane. Për këtë arsye, propozohen thjeshtimi i procedurave të licencimit dhe ulja e barrierave që kufizojnë hyrjen në profesion.
Sipas analizës së dokumentit, procedurat e gjata të licencimit, kërkesat ligjore dhe kufizimet administrative kanë pasur pasoja negative. Këto kanë çuar në mungesën e profesionistëve në sektorë strategjikë, kanë vonuar hyrjen e të rinjve në tregun e punës dhe kanë kufizuar konkurrencën.
Ndryshimi synon ta bëjë sistemin më transparent, më efikas dhe më të harmonizuar me tregun evropian të punës.
