Sulm me dron rus në selinë e SBU-së në Kiev

Tentativë atentati ndaj kreut të SBU-së: Dron rus godet selinë e inteligjencës në Kiev, Zelensky urdhëron kundërpërgjigje

Një dron rus i tipit “Shahed” ka goditur ndërtesën e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) në Kiev. Autoritetet ukrainase e kanë vlerësuar sulmin si tejet të rëndë, duke pasur parasysh objektivin strategjik të goditur.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se droni ishte orientuar drejtpërdrejt drejt zyrës së kreut të SBU-së, Oleksandr Poklad. Ai e cilësoi ngjarjen si një përpjekje të drejtpërdrejtë për të eliminuar drejtuesin e inteligjencës ukrainase.

“Droni ishte drejtuar drejtpërdrejt në zyrën e kreut të SBU-së në këtë ndërtesë,” u shpreh Zelensky.

Lideri ukrainas bëri të ditur se e ka udhëzuar Pokladin të përgatisë një kundërpërgjigje ushtarake ndaj Moskës. Ai theksoi se kundërpërgjigja duhet të jetë “adekuate, e ndjeshme dhe, nëse është e mundur, simetrike”. Zelensky shtoi se ushtria ukrainase do ta mbështesë plotësisht këtë operacion, pa dhënë detaje mbi formën apo kohën e ekzekutimit.

Përdorimi i dronëve “Shahed” vijon të jetë një nga pikat kyçe të fushatës ajrore ruse. Kievi zyrtar ripërsërit qëndrimin se çdo goditje ndaj strukturave të tij do të pasohet me sulme hakmarrëse ndaj objektivave ushtarake dhe të sigurisë brenda territorit rus.

Scroll to Top