Ndodh dhe kjo! Shmangu trafikun dhe shkoi për pazar me helikopter, 69-vjeçari habit banorët
Një 69-vjeçar në Wisconsin, SHBA, ka zgjedhur një mënyrë tepër të pazakontë për të shkuar në dyqan: duke përdorur helikopterin e tij personal. Ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 18:00, pranë dyqanit Cabela’s në qytetin Richfield.
Policia ka mbërritur në vendngjarje pasi një qytetar ka telefonuar për të raportuar praninë e një helikopteri në parkingun e dyqanit. Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Washington, piloti, banor i Rosendale, ka shpjeguar se ka preferuar të fluturojë drejt dyqanit pasi udhëtimi me makinë do të ishte shumë i gjatë. Distanca mes Rosendale dhe Richfield është rreth 50 milje, një rrugë që zakonisht kërkon rreth një orë me makinë.
Autoritetet kanë sqaruar se 69-vjeçari nuk do të përballet me asnjë masë ndëshkuese. Ai disponon një licencë të vlefshme pilote, ka kryer një ulje të sigurt dhe ka respektuar të gjitha rregullat e përcaktuara nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA).
Në një reagim në rrjetet sociale, Zyra e Sherifit ka cilësuar ngjarjen si një “mënyrë origjinale” për të bërë pazarin, duke shtuar me humor se piloti ka arritur të shmangë trafikun dhe semaforët.
Ngjarja ka shkaktuar habi te banorët vendas, pasi nuk është e zakonshme të shihet një helikopter duke u ulur në parkingun e një dyqani për një blerje të përditshme.
