Vetëm 11 aplikime shqiptare për patentë në 2025, inovacioni vendas mbetet në nivele të ulëta
Pavarësisht diskutimeve gjithnjë e më të shumta rreth inovacionit, teknologjisë dhe zhvillimit të produkteve të reja, numri i shpikjeve për të cilat kërkohet mbrojtje me anë të patentave nga aplikantët shqiptarë vijon të mbetet shumë i ulët.
Gjatë vitit 2025, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI) u regjistruan gjithsej 659 aplikime për patenta. Vetëm 11 prej tyre ishin nga aplikantë shtetas shqiptarë, ndërsa shumica dërrmuese e volumit të aplikimeve përbëhej nga patenta europiane që kërkonin shtrirjen e mbrojtjes së tyre në territorin shqiptar.
Sipas të dhënave të raportit vjetor të DPPI-së, nga 659 aplikimet e vitit 2025:
- 10 ishin aplikime për patentë kombëtare.
- 1 aplikim ishte paraqitur nëpërmjet Traktatit të Bashkëpunimit për Patentat (PCT).
- 648 ishin patenta të lëshuara nga Zyra Europiane e Patentave, për të cilat kërkohej njohja ose mbrojtja në Shqipëri.
Kjo do të thotë se aplikimet kombëtare/PCT me aplikantë shqiptarë përbënin vetëm rreth 1.7% të totalit të aplikimeve të raportuara gjatë vitit.
Aplikimet kombëtare mbeten pranë minimumit të viteve të fundit
Të dhënat historike të DPPI-së tregojnë se numri i aplikimeve kombëtare për patentë ka qenë i ulët gjatë gjithë periudhës së fundit dhe nuk është krijuar një tendencë e qëndrueshme rritëse.
- Në vitin 2020 u regjistruan 12 aplikime për patentë kombëtare.
- Numri u rrit në 23 aplikime në vitin 2021, niveli më i lartë i periudhës së paraqitur në raport.
- Më pas zbriti në 20 aplikime në vitin 2022 dhe vetëm 9 në vitin 2023.
- Në vitin 2024 numri u rikthye në 12, ndërsa në 2025 ra sërish në 10 aplikime kombëtare.
Krahasuar me vitin 2021, kur u regjistruan 23 aplikime kombëtare, numri i vitit 2025 është më shumë se përgjysmuar.
Raporti evidenton gjithashtu se aplikimet kombëtare janë kryesisht të lidhura me fushën mekanike dhe ushqimore. Tetë patenta klasifikohen në fushën e artikujve personalë dhe shtëpiakë, të ashtuquajturat “nevoja njerëzore”.
98% e aplikimeve vijnë nga patentat europiane
Pamja ndryshon tërësisht kur në statistika përfshihen patentat europiane. Nga 659 aplikimet e raportuara në vitin 2025, 648, ose rreth 98.3%, ishin patenta të lëshuara nga Zyra Europiane e Patentave që kërkonin mbrojtje në Shqipëri.
Megjithatë, edhe ky numër është në rënie krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2024 u regjistruan 730 aplikime të kësaj kategorie, kundrejt 648 në 2025, duke shënuar një tkurrje prej rreth 11.2%.
Nëse shikojmë shifrat ndër vite, vërejmë se janë regjistruar:
- 885 patenta europiane në vitin 2020.
- 923 në 2021.
- 601 në 2022.
- 658 në 2023.
- 730 në 2024.
- 648 në 2025.
Si rrjedhojë, edhe numri total i aplikimeve për patenta ra nga 742 në vitin 2024 në 659 në vitin 2025, ose me rreth 11.2%.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale
