Trinidad dhe Tobago kundërshtojnë shantazhin e Venezuelës për gazin
Kryeministrja e Trinidadit dhe Tobagos, Kamla Persaud-Bissessar, ka hedhur poshtë “shantazhin” e Venezuelës lidhur me marrëveshjet dypalëshe të gazit. Deklarata vjen pas vendosjes së një anijeje luftarake amerikane në vend, si pjesë e një operacioni ushtarak të urdhëruar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në Karaibe.
Kryeministrja theksoi se Trinidadit dhe Tobagos nuk do t’i nënshtrohet “asnjë shantazhi nga venezuelasit” dhe nuk do të braktisë luftën “për të luftuar kartelet e drogës”. Ajo shtoi se e ardhmja e vendit të saj nuk varet nga Venezuela dhe se kjo situatë nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Më herët, zv/presidentja venezueliane, Delcy Rodriguez, kishte propozuar pezullimin e marrëveshjeve të gazit natyror mes dy vendeve, si hakmarrje për mbërritjen e anijes USS Gravely në Trinidad dhe Tobago. Uashingtoni ka vendosur shtatë anije luftarake në Karaibe dhe Gjirin e Meksikës, duke synuar operacionet kundër karteleve të drogës, veçanërisht ato që lidhen me Venezuelën dhe presidentin e saj.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar gjithashtu se aeroplanmbajtësja Gerald R. Ford, më e madhja në botë, pritet të mbërrijë në rajon. Të premten, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, e cilësoi këtë si një përpjekje të SHBA-së për të “shpikur një luftë të re”. Trump akuzon Maduro-n për përfshirje direkte në trafikun e drogës, akuzë që Maduro e mohon kategorikisht.
Sipas qeverisë së Caracasit, Uashingtoni po përdor trafikun e drogës si pretekst për të “imponuar ndryshimin e regjimit” dhe për të sekuestruar rezervat e konsiderueshme të naftës së Venezuelës.
Që nga fillimi i shtatorit, SHBA-të kanë kryer sulme ajrore kundër anijeve që dyshohet se kontrabandojnë drogë në Karaibe dhe Paqësor. Dhjetë sulme të tilla janë kryer deri më tani, duke rezultuar në vdekjen e të paktën 43 personave, sipas një analizë të AFP-së bazuar në të dhënat e qeverisë amerikane. Në një nga sulmet, në mes të tetorit, dy qytetarë të Trinidadit dhe Tobagos u vranë, sipas familjeve të tyre, ndërsa autoritetet lokale nuk e kanë konfirmuar apo mohuar këtë informacion.
Ekspertët kanë shprehur dyshime rreth ligjshmërisë së këtyre sulmeve në ujërat territoriale ndërkombëtare dhe të huaja kundër individëve të dyshuar, të cilët nuk janë arrestuar ose marrë në pyetje.
