VIDEO/ Bombarduesi rus Tu-95 rrëzohet gjatë fluturimit stërvitor, gjashtë persona humbën jetën
Një bombardues strategjik rus Tu-95 është rrëzuar gjatë një fluturimi stërvitor në një zonë të largët të Lindjes së Largët të Rusisë. Aksidenti ka shkaktuar vdekjen e gjashtë anëtarëve të ekuipazhit.
Sipas autoriteteve ruse, avioni u rrëzua në rajonin Amur, në një zonë të pabanuar. Agjencia ruse e lajmeve Interfax raportoi se bëhet fjalë për një avion bombardues të tipit Tu-95.
Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se, sipas informacioneve fillestare, gjashtë pjesëtarë të ekuipazhit humbën jetën në aksident, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur dhe u transportua në një qendër mjekësore.
Autoritetet ruse nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi shkaqet e rrëzimit. Ngjarja ndodhi gjatë një fluturimi stërvitor dhe, sipas njoftimeve fillestare, nuk raportohet për viktima në tokë.
