Ish-shef i krimeve, në gjyq për ndikim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të martën, më 28 tetor, përfundimin e hetimeve ndaj gjashtë të pandehurve. Ata akuzohen për ndikim të paligjshëm në sistemin e drejtësisë, si dhe për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë shpërndarë të dhëna të sistemit TIMS tek persona të tretë.
Çështja ndaj ish-shefit të krimeve në komisariatin nr. 3, Erjon Dani, dhe të pandehurve Musa Gjikola, Klodjan Muça, Sokol Masha, Emiljano (alias Millan) Roçi dhe Vilson Roçi, është dërguar në gjykatë. Të dhënat ndaj të akuzuarve janë siguruar gjatë një hetimi tjetër për trafik droge dhe qeniet njerëzore.
Sipas njoftimit, hetimet kanë zbuluar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta. Në këto raste, ata kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro. Motivi i tyre ishte pretendimi se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masat e sigurimit personal dhe favorizim në dhënien e dënimeve për disa persona të arrestuar.
Gjithashtu, SPAK ka provuar se i pandehuri Erjon Dani, i cili në kohën e këtyre ngjarjeve mbante funksionin e zëvendësshefit të komisariatit dhe shefit për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.
Hetimet kanë treguar se të pandehurit kanë bashkëpunuar, duke koordinuar veprimet e tyre përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”.
Hetimi ndaj këtyre gjashtë të pandehurve është ndarë nga një procedim penal i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”. Erjon Dani dhe gjashtë persona të tjerë u arrestuan në korrik të këtij viti në kuadër të këtyre hetimeve, gjatë një operacioni të shtrirë në qarqe Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, ndërkohë që u shpallën në kërkim edhe gjashtë persona të tjerë.