Një ushtar izraelit u vra në Rafah; Hamasi hedh poshtë akuzat e Izraelit, pohon se respekton armëpushimin
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se një ushtar rezervist humbi jetën të dielën pasdite, pas një sulmi të kryer nga persona të cilësuar si “terroristë palestinezë” kundër forcave izraelite të stacionuara në Rafah, në jug të Rripit të Gazës.
Sipas informacioneve të mediave izraelite, ushtari i vrarë është rreshteri major Yonah Efraim Feldbaum, 37 vjeç, banor i vendbanimit Neria në Bregun Perëndimor.
Hetimi paraprak i IDF-së sugjeron se sulmuesit përdorën raketahedhës dhe armë snajperi kundër forcave izraelite që operonin në lagjen Jenina të Rafahut.
Nga ana tjetër, Hamasi ka mohuar çdo përfshirje në incident. Grupi theksoi se luftëtarët e tij “nuk kanë marrë pjesë në asnjë konfrontim me trupat izraelite” dhe se mbetet i përkushtuar ndaj armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
