Vrasja e 42-vjeçarit për një foto me kal, dalin pamjet e arrestimit të autorit në Berat
Janë publikuar pamjet e arrestimit të Kristo Mema, i njohur edhe si Kastriot Hoxha, 63 vjeç, i cili qëlloi me thikë një turist nga Tirana, në prani të familjarëve të tij.
Ngjarja ndodhi pasi viktima, Keli Hoxha, kishte refuzuar të paguante për një foto të shkrepur me kalin e autorit.
Autori, i cili u arrestua në një shpellë pak orë pas krimit, rezulton të ketë precedentë penalë edhe në Greqi, ku ka vuajtur 25 vite burg për vrasje, të kryer rreth 25 vite më parë. Pas lirimit nga burgu, ai kishte ndryshuar emrin dhe ishte kthyer në Shqipëri. Aty nisi të punonte në zonën turistike të kalasë, duke u ofruar turistëve xhiro me kalë dhe fotografi.
“Vrau me mjet prerës (thikë) gjatë një konflikti të çastit 42-vjeçarin dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Pas 4 orësh ndjekjeje nga Policia, kapet dhe vihet në pranga 63-vjeçari.”
Në vijim të informacionit mbi vrasjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit K. H., shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ushtruan kontrolle intensive. Këto veprime mundësuan lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes në lagjen Kala, pranë Tabjes, dhe arrestimin e shtetasit K. M., alias K. H., 63 vjeç, banues në Berat, i cili rezulton të jetë dënuar më parë për veprën penale “Vrasja”.
63-vjeçari, rreth orës 15:10, pas një konflikti për motive të dobëta, goditi me mjet prerës 42-vjeçarin, i cili humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme, njofton policia.
