Arsenal armësh sekuestruar në Tiranë; 23 pistoleta dhe pajisje të tjera në shtëpinë e 34-vjeçarit
Policia e Tiranës ka zbuluar një sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisjesh të paligjshme në rrugën “Myslym Shyri”. Gjatë një operacioni të koduar “The van”, u gjetën brenda një furgoni 23 armë zjarri, mes të cilave 5 armë me tytë të gjatë të ngjashme me snajper, 1 silenciator, 17 krehëra me municion luftarak, celularë, pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve dhe materiale të tjera të kundërligjshme.
Në kuadër të këtij operacioni, është arrestuar 34-vjeçari Eugert Sina, ndërsa dy persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale janë shpallur në kërkim.
Operacioni, i finalizuar nga Sektori i Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ka nxjerrë në dritë një bazë ku dyshohet se ishte fshehur ky arsenal armësh, të cilat mendohet të jenë trafikuar.
Detajet e operacionit tregojnë se janë sekuestruar:
- 12 armë zjarri pistoletë të markave të ndryshme si “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
- 6 armë zjarri automatike;
- 5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
- 1 silenciator;
- 17 krehëra për armë zjarri të ndryshme;
- Pjesë të ndryshme armësh zjarri;
- 15.000 fishekë;
- 17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
- 12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
- Pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
- Pajisje për bllokimin e valëve;
- Pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
- 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Puna vijon për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të mbajtjes së armëve dhe pajisjeve të sekuestruara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
