Belinda Balluku drejton qeverinë, pavarësisht thirrjes në SPAK

Belinda Balluku drejton mbledhjen e qeverisë, pavarësisht thirrjes në SPAK

Qeveria miratoi sot disa vendime për shpalljen e zonave me përparësi për zhvillimin ekonomik në bashkitë Belsh, Përmet dhe Skrapar, si dhe Elbasan. Ajo që bie në sy është fakti se mbledhja u drejtua nga zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Ky nuk është rasti i parë që Balluku drejton mbledhjen e qeverisë. Kjo është një procedurë rutinë sa herë që kryeministri Rama udhëton jashtë vendit. Megjithatë, lënia e stafetës tek Belinda Balluku këtë të mërkurë ndodh në kontekstin e hetimit nga SPAK, ku ajo është thirrur bashkë me një avokat lidhur me tenderin e supervizimit të tunelit të Llogarasë.

Ditët e fundit, Balluku ka qenë aktive në media, duke u shfaqur në takime me homologë për çështje energjetike, duke prezantuar drejtorin e ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliu, dhe së fundmi duke prezantuar drejtorin e ri të DPRRTRSH-së, Kreshnik Bajraktari.

Mesazhi që numri dy i qeverisë po përcjell publikisht është se pozitat e saj nuk janë lëkundur dhe ajo mbetet një nga personat e preferuar të Ramës në mbikqyrjen e punëve qeveritare. Megjithatë, qëndrimi i Edi Ramës mbetet i vështirë për t’u interpretuar.

Si një moment kuptimplotë i lojës së tij me vartësit konsiderohet dalja publike me Erion Veliajn, pak para arrestimit të këtij të fundit. Pas një periudhe largësie, Rama u shfaq në dy aktivitete me Veliajn brenda ditës, duke dhënë sinjal mbështetjeje. Pak javë më pas, Veliaj u arrestua.

Publikisht, Rama e mbrojti kryebashkiakun edhe pas arrestimit. Ndërsa në një prononcim për DW, kur u pyet për Belinda Ballukun, ai dha një përgjigje jo-specifike: “Nuk kam asnjë koment për asnjë rast. Siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe nuk mund të dënohen nga gjykata popullore, politike apo nga mediat që i shërbejnë politikës.”

Scroll to Top