“Do të arrestoheni në 24 orë”: Kujdes nga ky email i rremë që mban emrin e Ilir Prodës
Janë zbardhur detaje rreth një email të rremë, i cili është dërguar drejt qytetarëve nga persona ende të paidentifikuar, duke pretenduar të jetë në emër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Në emailin e dërguar qytetarëve, thuhet se në hapësirën e tyre kibernetike janë gjetur disa krime dhe vepra penale të paligjshme që lidhen me drogën. Qytetarëve u jepej afat 24 orë për t’u paraqitur në selinë e policisë, në departamentin e krimit kibernetik, ose për të dërguar një email të menjëhershëm. Përndryshe, paralajmërohej se do të bëhej një arrestim i menjëhershëm.
Teksti i emailit të rremë:
“Me kërkesë të Drejtorit të Policisë Shtetërore të Shqipërisë, Ilir Proda, dhe Autoritetit të Sigurisë Kibernetike të Shqipërisë, po ju kontaktojmë në lidhje me disa krime kibernetike dhe vepra penale të paligjshme të drogës të gjetura brenda hapësirës tuaj kibernetike. Disa agjenci kombëtare dhe ndërkombëtare të zbatimit të krimit kibernetik kanë identifikuar aktivitetet tuaja të paligjshme në internet, siç janë:
- Pornografia me fëmijë
- Homoseksualiteti
- Pornografia në internet
- Ekzibicionizmi
- Seksi komercial
- Trafikimi i drogës
Lufta kundër krimit kibernetik udhëhiqet nga agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit, duke përfshirë Byronë Federale të Hetimit (FBI), Policinë Kombëtare të Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL).
Shënim: Keni 24 orë kohë për t’u paraqitur në selinë e policisë, departamentin e krimit kibernetik ose për të dërguar një email të menjëhershëm pasues, përndryshe do të bëhet një arrestim i menjëhershëm.
JU JENI PARALAJMËRUAR
Ilir Agim Proda
Drejtor i Përgjithshëm
Policia e Shtetit të Shqipërisë
Bulevardi Bajram Curri, Tiranë.
email i rremë
Në një reagim të saj, Policia e Shtetit sqaroi se kanë ekzistuar disa raste të shtetasve të paidentifikuar që kanë krijuar një adresë elektronike të rremë (email), duke përdorur kredencialet e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Përmes kësaj adrese, ata janë prezantuar si strukturë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Me këtë adresë, qytetarëve u janë dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje kërcënuese, duke i njoftuar se janë në hetim për krime kibernetike ose vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe duke u kërkuar që të paraqiten brenda 24 orëve në polici.
“Informojmë se emailet janë false dhe nuk kanë asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me ndonjë strukturë zyrtare të saj. Qytetarët duhet të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk dërgon kurrë njoftime zyrtare për hetime nëpërmjet emailit, asnjë strukturë policore nuk kërkon që qytetarët të paraqiten në polici pa një thirrje zyrtare të firmosur dhe të protokolluar. Qëllimi i këtyre mesazheve është mashtrimi dhe përhapja e frikës tek qytetarët.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të mos u përgjigjen dhe të mos shpërndajnë emaile me përmbajtje të tillë. Gjithashtu, informojmë se rasti është në hetim nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet në njoftim.
