Ylli televiziv iranian shkakton debat të nxehtë rreth pabarazisë
Vërejtjet kontroverse nga një aktore e vlerësuar me çmime kanë ndezur një debat të ashpër lidhur me drejtësinë sociale në Iran. Të enjten e kaluar, aktorja Fariba Naderi ishte e ftuar në emisionin “Pump” në YouTube, platformë e cila është e bllokuar në Iran. Gjatë bisedës njëorëshe me prezantuesin Amirhussein Ghiasi, ajo diskutoi rreth karrierës së saj, por edhe jetën private. Gjatë intervistës, prezantuesi iu referua vazhdimisht statusit të saj të privilegjuar shoqëror.
Kritikat kryesore u përqendruan në një fragment ku aktorja, duke bërë shaka, por edhe me njëfarë përçmimi, komentoi zonën ku jeton një nga kolegët e saj. “Për ne… kjo nuk konsiderohet më një lagje në modë,” u shpreh Naderi, e cila këtë vit fitoi çmimin prestigjioz Simorgh si Aktorja më e Mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Fajr.
Deklaratat e saj shkaktuan një stuhi zemërimi brenda pak ditësh. Videoja në YouTube është parë tashmë pothuajse 1 milion herë. Si konservatorët, ashtu edhe liberalët shprehën indinjatë për deklaratat, të cilat u kritikuan gjerësisht si “arrogancë klasore”, veçanërisht duke pasur parasysh krizën e rëndë ekonomike që po përjeton Irani.
Si pasojë, Naderi ka çaktivizuar funksionin e komenteve në llogarinë e saj në Instagram, ku ka rreth 2.2 milionë ndjekës. Agjencia iraniane e lajmeve ISNA, në një koment, theksoi se ajo “pa vetëdije, përdori një gjuhë që në kulturën urbane të sotme shihet si shprehje e diferencimit dhe superioritetit”. ISNA shtoi se fjalët e Naderit pasqyronin një “mentalitet të ri të pasur” – një mënyrë të menduari e karakterizuar nga nevoja për dallim dhe pasuri të dukshme.
Kritika të gjera pati edhe në internet. Një studiues i komunikimit shkroi në Instagram se Naderi nuk ishte shënjestra e vërtetë. “Ajo është thjesht një pasqyrë. Problemi është imazhi që ajo pasqyron për një përçarje të thellë.” Ai shtoi: “Intervista e saj është një paralajmërim serioz – një paralajmërim se dhimbja e shoqërisë, nëse neglizhohet, do të shndërrohet në zemërim.”
Irani po kalon një krizë ekonomike të rëndë prej vitesh, e cila është përkeqësuar nga tensionet gjeopolitike, sanksionet ndërkombëtare dhe izolimi politik. Këtyre u shtohen inflacioni i lartë, një perspektivë ekonomike e zymtë dhe mungesa e mundësive. Klasa e mesme e Iranit, e arsimuar dhe dikur e orientuar drejt konsumit, po tkurret vazhdimisht, me shumë individë që po bien në kushte të pasigurta.
