Policia spanjolle sekuestron 20 ton kanabis të fshehur në kamionë që transportonin speca
Policia spanjolle ka bërë të ditur të mërkurën se ka sekuestruar 20 ton kanabis, i cili ishte fshehur në kamionë frigoriferikë që transportonin speca nga Maroku. Ky operacion bëhet në kuadër të luftës kundër trafikut të drogës në Europë.
Oficerët e policisë ndaluan një kamion më 21 tetor në provincën jugore të Cadiz, i cili transportonte 12 ton rrëshirë kanabisi. Droga ishte e fshehur në ndarje të rreme pas kutive me speca të gjelbër. Tre ditë më vonë, një kamion i dytë u kap pranë qytetit të Granadës, duke transportuar tetë tonë drogë.
Të dy automjetet kishin mbërritur në portin e Algeciras nga Tanxheri. Si pasojë e këtij operacioni, njëzet persona janë arrestuar dhe burgosur me akuzat për trafik droge dhe krim të organizuar.
Hetuesit kanë theksuar se trafikantët përdornin automjete vëzhgimi për t’iu shmangur policisë. Gjithashtu, një pjesë e drogës ishte e paketuar në mbështjellës të ngjashëm me karamele, me qëllim tërheqjen e konsumatorëve më të rinj.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan gjithashtu nëntë automjete, një pistoletë automatike dhe më shumë se 7,000 euro (ekuivalenti i 8,100 dollarëve) në para të gatshme. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me policinë marokene.
Spanja konsiderohet si një pikë kryesore hyrëse për drogën në Europë, për shkak të afërsisë së saj me Marokun dhe lidhjeve me Amerikën Latine. Maroku është një burim kryesor i një lloji rrëshire kanabisi të njohur si hashash, ndërsa Amerika Latine është burimi kryesor i kokainës.
