Emigranti vret babanë e tre fëmijëve në Britani. Ai kishte paralajmëruar se do të “vriste 500 persona”.
Një emigrant nga Somalia ka goditur për vdekje me thikë një 37-vjeçar, baba të tre fëmijëve, brenda një banke në Derby, Angli. 47-vjeçari, kërkesa për azil e të cilit ishte refuzuar nga autoritetet britanike, kishte paralajmëruar më parë se do të vriste 500 persona.
Haibe Abdirahman Noor u filmua teksa kryente krimin e tmerrshëm dhe më pas u publikua një video e tij, ku shfaqej i qetë para dhe pas ngjarjes nga Daily Mail. Viktima, Gurvinder Singh Johal, baba i tre fëmijëve të moshës 5, 3 dhe 1 vjeç, ishte pronar biznesi.
Burri somalez u nxor para gjyqit, ku gjyqtari e përshkroi vrasjen si “barbare dhe mizore” dhe e dënoi atë me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 25 vjetësh. Sipas gjyqtarit, Johal “nuk bëri asgjë më shumë sesa të tërhiqte para nga banka për të paguar stafin e tij”.
Gjatë gjyqit u zbulua se Noor njihej në disa vende evropiane si Holanda, Luksemburgu, Italia dhe Gjermania për vepra të ndryshme penale. Në dhjetor 2024, ai ishte arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar për shkelje të rendit publik.
Në incidentin që ndodhi pothuajse një vit më parë, ai u dëgjua duke bërtitur: “Të q… anglezët” dhe “racistët e bardhë të q…”. Thuhet gjithashtu se ai kishte goditur me kokë një punëtor ndërtimi, por nuk u ngritën akuza kundër tij.
Në maj 2023, Noor u dënua gjithashtu me një vit burgim me kusht për vepra si grabitje, sulm që shkaktoi dëmtime trupore dhe rezistencë ndaj një nëpunësi publik.
“Ai do të vriste 500 njerëz”
Vetëm disa orë para se të vriste Johalin, ai kishte telefonuar një organizatë bamirëse të quajtur Migrant Help. Pasi kishte konsumuar alkool, ai u dëgjua duke u ankuar për mënyrën se si autoritetet e kishin trajtuar. Gjatë asaj telefonate, gjykata dëgjoi vrasësin duke i thënë organizatës bamirëse se “do të shkonte të vriste 500 njerëz dhe pastaj do të vriste veten”.
“I pandehuri tha se e bëri këtë sepse nuk kishte asnjë nga të drejtat e tij në Mbretërinë e Bashkuar – nuk kishte të drejtë të qëndronte, nuk i lejohej të punonte pavarësisht aftësive të tij, u detyrua të humbiste aftësitë dhe shkathtësitë e tij sepse mbahej në një burg të hapur”, tha prokurori gjatë gjyqit.
